Qeveria ka ndryshuar disa nga masat prioritare në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimit 2021-2027 dhe Planit të Veprimit, duke përfshirë fushën e tërheqjes së investimeve dhe ndërkombëtarizimit. Bie në sy reduktimi i programeve, por edhe i buxheteve për Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), sipas analizës së ndërmarrë nga ekofin.al, duke shqyrtuar 4 programet që janë hequr dhe zëvendësuar me të rinj, si edhe ndryshimeve përkatëse në kosto indikative dhe buxhete.
Me vendimin e botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave ka rishikuar prioritetet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), startup-et, diplomacinë ekonomike dhe arsimin profesional.
Nga programi i ofruesve te diplomacia ekonomike
Në fushën e tërheqjes së investimeve, “Programi i zhvillimit të ofruesve”, i cili më parë kishte si institucion përgjegjës AIDA-n dhe kontribues Ministrinë e Ekonomisë, kishte një kosto indikative 62,013,581 lekë dhe ishte parashikuar nga buxheti i shtetit një fond prej 7,261,253 lekësh. Ky prioritet është zëvendësuar me veprimin prioritar “Vlerësimi i modelit të diplomacisë ekonomike”, i cili do të ketë si institucion përgjegjës Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si kontribues Ministrinë e Ekonomisë dhe AIDA-n. Kosto indikative për këtë zë është 34,884,864 lekë dhe po në këtë shumë edhe fondi i parashikuar nga buxheti i shtetit.
Në vend të mbështetjes direkte për integrimin e NVM-ve në zinxhirët globalë të furnizimit, fokusi kalon te analiza e modelit aktual të diplomacisë ekonomike përmes takimeve me institucione vendase dhe ndërkombëtare. Objektivi është rritja e efektivitetit dhe promovimi i interesave ekonomike në kuadër të integrimit rajonal dhe në BE, gjatë periudhës 2025–2027.
Nga skemat konkurruese te lidhja startup–biznese
Në fushën e zhvillimit të NVM-ve dhe inovacionit, “Skema për mbështetjen e sipërmarrjes me bazë konkurrencën”, me institucion përgjegjës AIDA-n dhe kontribues përfshirë edhe Ministrinë e Ekonomisë kishte të parashikuar një kosto indikative 675,601,114 lekë, fondi nga buxheti i shtetit 140,698,714 lekë, ndërsa financimi i huaj në masën 534,902,400 lekë. Ky prioritet është zëvendësuar nga veprimi “Lidhja mes NVM-ve dhe startup-eve”, e cila do të ketë si institucion përgjegjës sërish AIDA-n, por duke përfshirë këtë herë dhe Agjencinë “Start up Albania”, si dhe kontribues Ministrinë e Ekonomisë. Në këtë rast kosto indikative parashikohet 5 milionë lekë, me një reduktim të ndjeshëm dhe po kaq edhe financimi i huaj.
Ndërsa më parë fokusi ishte te grantet dhe mbështetja për sipërmarrësit, veçanërisht gratë, tani theksi vihet tek ndërtimi i sinergjive mes startup-eve dhe bizneseve ekzistuese përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe takimeve tematike siç janë AI dhe automatizimin. Qëllimi është integrimi më i plotë i ekosistemit të startup-eve në ekonomi. Deri në vitin 2027 synohet të jenë organizuar 5 aktivitete, ndërsa numri i pjesëmarrësve ku të paktën 30% startup-e dhe biznese të jenë të udhëhequra nga gratë përgjatë 2025- 2027 synohet të jetë 150, thuhet në vendim.
Nga fuqizimi i ekosistemit te programet e BE-së
Një tjetër ndryshim lidhet me startup-et. Në vend të veprimit “Fuqizimi i ekosistemit të startup-eve”, që kishte si institucion përgjegjës Ministrinë e Ekonomisë dhe si kontribues Agjencinë për Startup-et si dhe ministrin e sipërmarrjes, është miratuar prioriteti “Akses në programet e Bashkimit Evropian në fushën e biznesit”. Ndryshim pëson edhe buxheti për këtë zë, nga ku më parë kosto indikative për masën e hequr parashikohej 1,678,427,280 lekë, fondi nga buxheti i shtetit 74,753,280 lekë, ndërsa financimi i huaj parashikohet në masën 1,603,674,000 lekë.
Me ndryshimin e fundit, masa e re, e cila do të jetë në përgjegjësinë e AIDA-s dhe Agjencisë së Startup-eve, parashikohet një kosto indikative në vlerën 36,447,120 lekë dhe po në këtë vlerë edhe financimin e huaj. Pra rezulton një reduktim drastik i kostot indikatove dhe i buxhetit për këtë program.
Ky ndryshim zhvendos fokusin nga ndërtimi i kapaciteteve vendase te pjesëmarrja në programe si Programi i Tregut të Përbashkët 2021–2027, me mbështetje për gjetjen e partnerëve ndërkombëtarë, krijimin e konsorciumeve dhe aplikimet për financime. Objektivat janë forcimi i inovacionit, integrimi ndërkombëtar i ekosistemit të inovacionit dhe rritja e aksesit në financa për NVM-të dhe startup-et. Synohet që numri i NMVM-ve që kanë aplikuar me sukses për programet evropiane përgjatë 2025-2027 të jetë 10.
Nga programet e trajnimit te përfshirja e bizneseve në VET
Në fushën e kapitalit njerëzor, “Programi për zhvillimin e forcës së punës për dhe me NVM-të dhe investitorët” është zëvendësuar nga veprimi “Sensibilizimi dhe përfshirja e bizneseve në reformat e sistemit të VET-së”. Programi ishte në përgjegjësinë e AIDA-s me institucione kontribuese Ministrinë e Ekonominë, MEPJ, AKPA, bashkitë, qendrat e formimit, dhomat dhe shoqatat e tregtisë. Parashikimi për këtë prioritet kishte vetëm një kosto indikative 60,900,000 lekë, pa buxhet dhe pa financim të huaj të parashikuar.
Tashmë, prioriteti i ri i sensibilizimit do të jetë në përgjegjësinë e Ministrit të Politikave të Punësimit me kontribues Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa është parashikuar kosto indikative 17,740,787 lekë dhe po në këtë masë edhe fondi nga buxheti i shtetit.
Në vend të kurseve të trajnimit dhe projekteve PPP për ngritjen e qendrave të formimit, fokus i ri është përfshirja e bizneseve në prezantimin e modelit të dyfishtë të arsimit profesional (VET), me tryeza të rrumbullakëta dhe konsultime për përshtatjen e kurrikulave ndaj nevojave të tregut, sidomos për transformimin digjital dhe të gjelbër.
Synohet që numri i aktiviteteve, në të cilat prezantohen apo diskutohet me bizneset modeli i VET-së gjatë 2025-2026 të jetë 10 dhe po gjithashtu 10 të jetë numri i kurrikulave të rishikuara/të reja me përfshirjen e bizneseve në studimet dhe konsultime./ekofin.al
