Presidenti Donald Trump tha se kompanitë amerikane duhet të lejohen të raportojnë fitimet çdo gjashtë muaj në vend të çdo tremujori, duke shpallur atë që mund të rezultojë një ndryshim i madh për “corporate America”.
Në rrjetin e tij social Truth Social, Trump deklaroi se ndryshimi — për të cilin kishte bërë thirrje edhe në vitin 2018 — do të ulte kostot dhe do të dekurajonte mendësinë afatshkurtër të kompanive të listuara publikisht. Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA (SEC) tha se po e bënte këtë propozim të Trump një prioritet. “Kjo do të kursejë para dhe do t’u lejojë menaxherëve të fokusohen në drejtimin e duhur të kompanive të tyre,” tha Trump.
Aktualisht, SEC kërkon që korporatat të raportojnë pasqyrat financiare çdo 90 ditë. Raportimi gjashtëmujor do të përbënte një ndryshim të madh në kërkesat e transparencës dhe do ta vinte SHBA-në në të njëjtën linjë me Mbretërinë e Bashkuar dhe disa vende të Bashkimit Europian. Në vitin 2018, agjencia kishte kërkuar komente publike mbi ndryshimet e mundshme, por në fund mbajti në fuqi regjimin ekzistues. Këtë herë, SEC dukej plotësisht e angazhuar. “Me kërkesën e Presidentit Trump, kryetari Atkins dhe SEC po e prioritizojnë këtë propozim për të hequr më tej barrat e panevojshme rregullatore mbi kompanitë,” tha një zëdhënës.
Thirrja e Trump e vendos atë qartësisht në njërën anë të një tensioni të përhershëm: nga njëra anë kompanitë që kërkojnë të zvogëlojnë barrën e përditësimeve të shpeshta të tregut, dhe nga ana tjetër kërkesat e investitorëve për më shumë informacion. Disa investitorë kanë paralajmëruar se pritja më e gjatë për informacion financiar do të thotë më pak transparencë dhe më shumë luhatshmëri në treg, duke i bërë aksionet amerikane më pak tërheqëse — megjithatë disa të tjerë të hënën thanë se e mbështesin idenë. Aktivistët për transparencën thonë gjithashtu se kjo mund t’u japë kompanive më shumë hapësirë për të fshehur ose vonuar lajme të këqija.
Adena Friedman, kryetare dhe drejtuese ekzekutive e Nasdaq, tha në një postim në LinkedIn se kompania e saj e mbështet fuqishëm lejimin e kompanive të zgjedhin të raportojnë më rrallë, pasi kjo do të minimizonte “fërkimet, barrën dhe kostot” e listimit në Wall Street.
Investitorët argumentojnë se një nga arsyet pse aksionet amerikane tregtohen me një premium krahasuar me ato të vendeve të tjera lidhet me kërkesat më të larta për raportim financiar. Indeksi referencë i SHBA-së S&P 500 po tregtohet me 24.3 herë fitimet e pritshme për 12 muajt e ardhshëm, krahasuar me 15.28 herë për STOXX 600 të Europës, sipas të dhënave të përpiluara nga LSEG.
M. Todd Henderson, profesor i së drejtës në Universitetin e Çikagos dhe ekspert për rregullimin e tregut të letrave me vlerë, tha se priste që shumë kompani të vazhdonin t’i ushqejnë investitorët me raportime tremujore edhe nëse SEC nuk e kërkonte më këtë. “Në mënyrë dërrmuese praktika do të mbetej po ashtu siç është,” tha ai. “Që sjelljet e kompanive shtrembërohen nga afatshkurtëria është padyshim e vërtetë në disa raste, por nuk është një fenomen i të gjithë sistemit.”/Përshtati nga Reuters, ekofin.al
