Nga Dritan Shano
Që nga ditët më të hershme të njerëzimit, shoqëritë e kanë ditur se fëmijëria ishte vendimtare për formësimin e së ardhmes. Edhe përpara shpikjes së shkrimit ose lindjes së shkollave të formalizuara, fëmijët mësoheshin përmes familjes, ritualeve dhe disiplinës. Në Spartë, djemtë futeshin në agōgē (sistemi i edukimit ushtarak spartan) në moshën shtatë vjeçare, por përgatitja e tyre fillonte që në lindje nën mbikëqyrjen e rreptë të të rriturve. Në Athinë dhe Romë, familja ushqente karakterin moral dhe hapat e parë të shkrim-leximit, shpesh nën kujdesin e një pedagogu. Në Kinën Konfuciane, fëmijë që në moshën tre vjeçare mësonin përmendësh tekste që ngulitnin rregullin shoqëror, ndërsa në traditën hebraike studimi i Torahut fillonte rreth moshës pesë vjeç. Megjithëse u mungonte njohuria shkencore që kemi sot mbi zhvillimin e trurit, këto shoqëri bashkoheshin tek intuita: se vitet më të hershme mbanin peshën e së ardhmes – dhe se të edukosh një fëmijë do të thoshte të formësosh fatin e komunitetit.
Ky ndërgjegjësim i hershëm për rëndësinë e fëmijërisë është prologu i historisë e gjatë dhe të larmishme të Edukimit – nga traditat gojore dhe mësimi fetar, tek shkollat e mëdha të filozofisë, ngritja e universiteteve dhe sistemet moderne që përkufizojnë botën e sotme.
Përpara shpikjes së shkrimit, edukimi ishte i pandarë nga mbijetesa. Njohuria ishte gojore, e mishëruar dhe kolektive. Gjuetarët, luftëtarët dhe zejtarët përcillnin teknikat përmes demonstrimit, imitimit dhe ritualeve. Aftësi të tilla si gjurmimi i kafshëve, farkëtimi i armëve ose memorizimi i ligjeve dhe gjenealogjive përcilleshin ballë për ballë, shpesh të ngulitura në tregime, këngë ose ceremoni. Kujtesa ishte biblioteka, dhe përsëritja ishte metoda. Ajo që ne e quajmë “edukim ushtarak” ose “nxënie zejtarie” ekzistonte, por në formën e trajnimit të përfshirë në praktikën e përditshme – të rinjtë mësonin të luftonin duke marrë pjesë në gjueti ose duke qëndruar në formacion, nxënësit e zanateve mësonin përmes vëzhgimit të gjatë dhe pjesëmarrjes graduale, dhe specialistët fetarë ruanin kozmologjitë, kodet morale dhe tabutë duke i përsëritur derisa ato të nguliteshin në strukturën shoqërore. Në këtë botë pa tekste, edukimi nënkuptonte stërvitjen e kujtesës dhe trupit, duke prodhuar kështu vazhdimësinë ndër breza.
Feja ishte shpesh forca lidhëse e këtij edukimi të hershëm – mund të quhet institucioni i parë i organizuar i edukimit. Priftërinjtë, shamanët dhe pleqtë mbanin autoritetin si të njohurive ashtu edhe të legjitimitetit. Kleri në Mesopotami, Egjipt dhe tek Maja nuk ishte vetëm shpirtëror, por edhe administrativ: tempujt strehonin shkollat më të hershme për shkrues, ku kultivohej shkrimi, aritmetika dhe njohuritë kalendarike. Këto shkolla priftërore siguronin riprodhimin e besimit dhe të burokracisë. Në Mesopotami, edubba (“shtëpia e tabelave”) përgatiste shkrues që nga mijëvjeçari i tretë p.e.s., me kurrikula në shkrimin kuneiform, matematikë dhe formula ligjore. Në Egjipt, shkollat e tempujve mësonin hieroglifet dhe recitimin ritual, duke lidhur kozmologjinë me administratën. Kështu, që nga fillimi, feja dhe edukimi mbivendoseshin: mësimi i së shenjtës ishte i pandarë nga mësimi i së dobishmes. Në këtë kuptim, edukimi më i hershëm – ushtarak, zejtar apo fetar – nuk ishte i ndarë në segmente, por i ndërthurur thellë, i synuar për të prodhuar vazhdimësinë e jetës dhe kulturës, jo përparimin individual.
Grekët e sekularizuan dijen. Që nga shekulli V p.e.s., sofistët e profesionalizuan edukimin në retorikë dhe bindje, të domosdoshme për pjesëmarrje në polis. Liceu i Aristotelit (shkolla peripatetike) institucionalizoi kërkimin sistematik në filozofi, biologji dhe logjikë. Këtu edukimi nuk ishte më vetëm transmetim, por edhe kërkim kritik, argument dhe klasifikim i njohurive. Roma, duke trashëguar këtë traditë, e përshtati në mënyrë pragmatike: shkollat e retorikës formuan juristë, administratorë dhe senatorë. Edukimi theksonte oratorinë, ligjin dhe virtytet morale të traditës romake. Kështu, shkollat filozofike greke dhe akademitë retorike romake u bënë terrene trajnimi për elitat që qeverisnin popullsi dhe hapësira se të mëdha.
Rënia e Perëndimit Romak e ktheu edukimin sërish në duart e fesë. Manastiret ruajtën shkrim-leximin, shkrimet e shenjta dhe tekstet klasike. Urdhrat benediktinë dhe më pas cistercianë krijuan mjedise të disiplinuara ku leximi, shkrimi dhe kopjimi ishin njëkohësisht lutje dhe pedagogji. Shkollat katedrale u bënë pararendëset e universiteteve, duke përgatitur klerin jo vetëm në teologji, por edhe në artet liberale. Deri në shekullin XII, universitetet në Bolonjë, Paris dhe Oksford u shfaqën si korporata autonome, duke kodifikuar kurrikulat në ligj, mjekësi dhe teologji. Metoda e tyre skolastike – diskutimi dhe komentimi – institucionalizoi debatin racional brenda një kornize teologjike. Edukimi, kështu nuk ishte më vetëm i shenjtë: ai u bë një rrugë e strukturuar për elitat kishtare dhe laike.
Ndërkohë, edukimi ushtarak u zhvillua paralelisht. Nga trajnimi kalorësiak mesjetar në artet luftarake e deri tek akademitë e para ushtarake formale në shekullin XVII, lufta kërkonte njohuri të specializuara. Artileria, inxhinieria dhe logjistika kërkonin aftësi shkrimi dhe leximi, si edhe njohuri numerike. Në Perandorinë Habsburge, fushatat për shkrim-lexim në shekullin XVIII ishin pjesërisht të motivuara nga nevoja që ushtarët dhe artilierët të lexonin urdhra dhe manuale të shkruara. Kështu, shteti mori gjithnjë e më shumë përgjegjësi për edukimin si një krah të efikasitetit ushtarak dhe burokratik.
Reformimi dhe Kundërreformimi në Mesjetë e zgjeruan shtrirjen e edukimit. Protestantët theksuan shkrim-leximin në gjuhën amtare që çdo besimtar të lexonte Shkrimin e Shenjtë; Jezuitët ndërtuan kolegje në gjithë Evropën për të formuar elita të disiplinuara dhe të arsimuara. Ky edukim i nxitur nga feja hodhi themelet për shkrim-leximin masiv. Iluminizmi e sekularizoi projektin më tej: edukimi u bë një mjet i arsyes, qytetarisë dhe përparimit. Mendimtarë si Kondorceti argumentuan se edukimi universal ishte thelbësor për shoqërinë demokratike.
Industrializimi e shndërroi edukimi në një domosdoshmëri ekonomike. Fabrikat kishin nevojë për punëtorë të përpiktë, të disiplinuar dhe të ditur. Modeli prusian i shekullit XIX i edukimit fillor të detyrueshëm – me kurrikula të standardizuara, formim të mësuesve dhe mbikëqyrje shtetërore – u bë një model në gjithë botën. Shkollat teknike, politekniket dhe më pas universitetet kërkimore (p.sh., Universiteti i Berlinit i Humboldtit, 1810) lidhën përparimin shkencor me zhvillimin ekonomik. Kështu edukimi u bë shtylla kurrizore e konkurrueshmërisë kombëtare.
Në shekullin XX, edukimi masiv i mesëm dhe i lartë u zgjerua në mënyrë dramatike. Akti i GI[1] në Shtetet e Bashkuara (1944) demokratizoi aksesin, duke nxitur mobilitetin shoqëror dhe rritjen ekonomike. UNESCO, UNICEF dhe Banka Botërore promovuan fushata globale të shkrim-leximit dhe edukimin fillor universal, duke lidhur shkollimin me objektivat e zhvillimit. Edukimi u bë njëkohësisht një e drejtë njerëzore dhe një motor i modernizimit ekonomik.
Sot, epoka digjitale shënon ndryshime e shkëputje të reja. Platformat e të nxënit online, burimet me akses të hapur dhe tutorët e inteligjencës artificiale po e riformësojnë edukimin përtej modelit të shtetit-komb. Të nxënit po shkëputet gjithnjë e më shumë nga institucionet fizike, ndërsa automatizimi po sfidon gjithnjë e më shumë lidhjen mes edukimit dhe punësimit të qëndrueshëm. Megjithatë, tiparet jetëgjata mbeten: edukimi vazhdon të shërbejë mbijetesës (alfabetizimi digjital si aftësi ekzistenciale), fesë dhe moralit (vlerat dhe etikat në shoqëritë pluraliste), ushtrisë (lufta kibernetike, studimet strategjike), dhe zanateve (programimi, dizajni, shkenca e të dhënave si zejtari e re). Edhe epoka e AI-së përcjell fazat dhe funksionet më të hershme të edukimit: njerëzimi duhet sërish të transmetojë akoma me më tepër shpejtësi aftësi të reja për të ruajtur kohezionin.
Nga rituali gojor deri tek tutorët algoritmikë, edukimi nuk ka qenë kurrë neutral. Ai ka qenë gjithmonë fushëbeteja ku shoqëritë trajnojnë anëtarët e tyre për të mbijetuar, për të besuar, për të sunduar dhe për të prodhuar. Historia e tij nuk është një sekuencë reformash, por një shtresëzim i gjatë funksionesh – fetare, ushtarake, ekonomike, qytetare – që së bashku e kanë bërë atë infrastrukturën më të thellë të qytetërimit. Edhe sot, edukimi duhet kuptuar siç ka qenë gjithmonë – dhe gjithmonë ka qenë një mekanizëm pushteti: formësimi i besimeve, konsolidimi të autoritetit, drejtimi të punës dhe përcaktimit se kush merr pjesë plotësisht në shoqëri. Çdo kurrikulë, çdo metodë dhe çdo institucion pasqyron prioritetet shoqërore, qofshin ato të shenjta, qytetare, ushtarake apo ekonomike. Kjo shërben për të shpjeguar pse ne sot në Shqipëri kemi më shumë jurista – njerëz që harxhojnë dhe potencialisht pasurohen në konflikt social, sesa inxhinerë – njerëz që krijojnë dhe potencialisht rrisin mirëqenien dhe kohezionin social.
Epilog
Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, edukimi ka qenë një forcë thelbësore, por shpesh e dorës së dytë në jetën ekonomike dhe politike. Gjeografia, burimet natyrore dhe avantazhet strukturore kanë diktuar ngritjen dhe rënien e qytetërimeve më vendosmërisht se përhapja e dijes. Megjithatë, edukimi ka mbetur infrastruktura e qetë që mbështeti zejtarët, priftërinjtë, administratorët dhe ushtarët që mirëmbanin makinerinë e shoqërisë.
Sot, ekuilibri është zhvendosur dukshëm. Të dhënat janë bërë nafta e re, inovacioni monedha vendimtare, dhe aftësia për të mësuar – për të fituar dije, për t’u përshtatur dhe për të kultivuar aftësi kritike, teknike dhe njerëzore – është bërë motori më i rëndësishëm i prosperitetit dhe avantazhit konkurrues. Këtu rikthehet me siguri shkencore intuita e lashtë se vitet më të hershme mbartejnë peshën e së ardhmes: fëmijëria e hershme është themeli i gjithë të nxënit të mëvonshëm. Neuroshkenca tregon se vitet e para formësojnë jo vetëm kapacitetin kognitiv, por edhe qëndrueshmërinë, kapacitetin për përshtatje sociale dhe aftësinë për të inovuar. Janë pikërisht këto vite, fëmijëria e hershme që kërkon vëmendjen, energjinë, investimin më të madh – edhe pse ky është problem i madh për politikanët që ata të përdorin fuqinë e tyre mbi burimet publike për një gjë e cila i jep rezultatet shumë kohë më pas, kur ata mund të mos jenë më në politikë dhe të kenë mundësi të bëjnë fotografi të bukura që t’i postojnë në rrjetet sociale, apo të dalin tek lajmet në TV. Këtyre u them: në mos keni këllqe të silleni si shtetarë, të paktën mundohuni të silleni si prindër të mire – lerini skuthllëqet.
Provat për dobinë kombëtare të këtij lloj investimi këtë janë të pakundërshtueshme. Programet cilësore[2] për fëmijët nga lindja deri në moshën pesë vjeç, veçanërisht për ata nga shtresat e pafavorizuara, gjenerojnë përfitime vjetore prej 7-16 përqind përmes rezultateve më të mira në edukim, shëndet dhe produktivitet. Vendet e OECD-së shpenzojnë mesatarisht rreth 13,331 dollarë amerikanë për fëmijë për edukimin parashkollor, duke alokuar rreth 0.6 përqind të PBB-së për fëmijët 3-5 vjeç, ndërsa vendet kryesuese investojnë mbi 0.8–1.0 përqind. Për vendet në zhvillim – siç jemi ne shqiptarët – që synojnë të përshpejtojnë hapin, investimi strategjik në edukimin e fëmijërisë së hershme – zgjerimi i aksesit, sigurimi i cilësisë përmes formimit të mësuesve dhe kurrikulave, forcimi i mbështetjes familjare dhe integrimi i shëndetit dhe ushqyerjes – nuk është vetëm një detyrim shoqëror, por edhe një domosdoshmëri ekonomike.
Edukimi nuk është më një faktor mbështetës; ai është sektori kryesor ekonomik i epokës sonë, infrastruktura vendimtare mbi të cilën varet gjithë prosperiteti i vendit. Ne duhet të bëjmë tri gjëra: të masim ku jemi dhe të përcaktojmë prioritet tona sociale; të investojmë fort dhe thellë në edukimin e fëmijërisë së hershme; dhe ta masim suksesin e punës jo me çfarë fusim, por me çfarë nxjerrim nga sistemi i edukimit në tërësi.
