Liqeni Artificial i Tiranës, një nga asetet më të rëndësishme natyrore dhe sociale për qytetarët, prej vitesh është i ekspozuar ndaj ndotjes së ujërave të zeza urbane, ndërkohë që institucionet përgjegjëse kanë dështuar të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e kësaj problematike.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), që auditoi periudhën 2021–2024 por edhe më gjerë, ka nxjerrë në pah se sistemi i menaxhimit dhe koordinimit ndërinstitucional është inekzistent, duke e lënë hapësirën e Parkut të Madh të Liqenit Artificial (PMLAT) të pambrojtur ndaj ndotjes.
Sipas Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, Liqeni Artificial i Tiranës është i përcaktuar për t’u monitoruar çdo vit me tregues të plotë, nga parametrat fiziko-kimikë e mikrobiologjikë, te pesticidet dhe metalet e rënda. Por Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), që nga viti 2015, nuk ka realizuar asnjëherë këto monitorime.
Në tetor të vitit 2024, pas presionit publik dhe mediatik, analizat e para treguan se në liqen derdheshin ujëra të ndotura urbane të patrajtuara. Megjithatë, përveç shkresave zyrtare, nuk u mor asnjë masë konkrete për të identifikuar shkaktarët apo për të ndërprerë ndotjen.
Auditimi ka evidentuar se Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit (APR) kufizoi reagimin e saj vetëm në korrespondenca zyrtare me institucionet e tjera, si AKUK dhe UKT sh.a., të cilat nuk dhanë përgjigje konkrete. Në terren, ARM Tirana e mbylli inspektimin duke deklaruar se subjektet pa leje mjedisore nuk përfshiheshin në kompetencat e saj.
Në fakt, pikët e ndotjes ishin të lidhura me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha, duke sugjeruar për lidhje të jashtëligjshme të ujërave të zeza. Përveç shtatë pikave të evidentuara nga APR dhe AKM, grupi i auditimit gjeti edhe tre pika të tjera të bllokuara ose me derdhje të ujërave të përdorura, për të cilat nuk është marrë asnjë masë.
Një tjetër problem i rëndë i evidentuar është fakti që territori i PMLAT nuk mbulohet nga rrjet kanalizimesh. Subjektet private që operojnë në park përdorin gropa septike, për të cilat Bashkia Tiranë, UKT dhe APR nuk kanë asnjë informacion mbi vendndodhjen, gjendjen teknike apo menaxhimin e tyre.
Madje, nuk ka as një evidencë të saktë mbi numrin e subjekteve që operojnë brenda parkut: sipas kontratave me UKT janë 10, sipas APR 14, ndërsa grupi i auditimit konstatoi edhe më shumë se 14. Këto subjekte, për shkak të mungesës së kontrollit, përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për ndotjen e liqenit.
Për periudhën 2021–2024, APR shpenzoi rreth 10.6 milionë lekë për pastrimin mekanik të sipërfaqes së liqenit – heqjen e plastikave, bimësisë së tepërt etj. – por pa adresuar burimet e ndotjes.
Më shqetësues është fakti se në dhjetor 2024, APR realizoi blerjen e 10 mijë copë rasat peshku “për përmirësimin e ekosistemit ujor”. Vetëm një muaj më pas, u konstatuan tufa peshqish të ngordhur në brigjet e liqenit, çka sipas auditorëve lidhej me mungesën e oksigjenit në ujë, një simptomë tipike e ndotjes së lartë.
KLSH ka rekomanduar masa urgjente për të frenuar përkeqësimin e situatës, ku ndër të tjera kërkohet që AKM të nisë menjëherë monitorimet periodike sipas standardeve kombëtare, Bashkia Tiranë të krijojë një grup ndërinstitucional për të evidentuar dhe ndërprerë të gjitha shkarkimet e jashtëligjshme, APR të forcojë rolin e saj inspektues dhe të mos kufizohet në korrespondenca, Të kryhen kontrolle për funksionimin e gropave septike dhe mënyrën si subjektet menaxhojnë ujërat e ndotura, si edhe të hartohet një plan menaxhimi afatgjatë për Liqenin Artificial të Tiranës, për ruajtjen e tij si aset natyror e social i qytetit.
Liqeni Artificial i Tiranës, i cili prej dekadash shërben si mushkëri e gjelbër dhe hapësirë rekreative për qytetarët, sot është i kërcënuar seriozisht nga ndotja dhe mungesa e menaxhimit.
Raporti i KLSH-së është një sinjal alarmi se pa një ndërhyrje të menjëhershme dhe pa bashkëpunim real ndërinstitucional, ky aset natyror rrezikon të humbasë funksionet e tij ekologjike dhe shëndetësore, duke u kthyer nga një pikë e gjelbër e Tiranës në një burim të rrezikshëm ndotjeje. /ekofin.al



