Nga Venecia Simplon-Orient-Express i famshëm deri tek linja Kyle në Skoci, këto udhëtime mbresëlënëse me tren u japin mundësi udhëtarëve të shijojnë bukuritë më të mira të Evropës me një ritëm të qetë. Evropa ka disa prej peizazheve dhe pamjeve më të bukura në botë – nga malet dramatike, livadhet e gjera, pyjet e harlisura deri tek plazhet e arta. Dhe trenat janë një nga mënyrat më të mira për të zbuluar çfarë ofron kontinenti. Por, si ta zgjedhësh udhëtimin e duhur me tren, kur opsionet janë kaq të shumta? Euronews Travel ka përmbledhur disa prej udhëtimeve më të bukura me tren në Evropë për t’u provuar në udhëtimin tuaj të ardhshëm.
Venice Simplon-Orient-Express
Venecia Simplon-Orient është një nga udhëtimet më klasike dhe më të bukura me tren në Evropë. Treni ofron disa itinerare, por më i njohuri është ai nga Parisi në Venecia, që zgjat dy ditë, me një natë në bord. Një tjetër itinerar nis nga Londra drejt Venecias, ku pasagjerët udhëtojnë me trenin Belmond British Pullman nga Londra në Folkestone dhe më pas lidhen me Venice Simplon-Orient-Express për udhëtimin gjatë natës drejt Venecias.

Kabinat historike të restauruara të viteve 1920-1930 me detaje Art Deco, shërbimi luksoz me kamarierë personalë, darka gastronomike të përgatitura nga kuzhinierë francezë, mëngjese private dhe muzikë live me kokteje e bëjnë këtë udhëtim një eksperiencë unike. Për një luks absolut, Grand Suites ofrojnë banjo private me mermer dhe shampanjë pa limit.

Vale of Rheidol Railway, Uells
Treni historik Vale of Rheidol në Uells, nga Aberystwyth në Devil’s Bridge, është një tjetër udhëtim mahnitës.
Linja e ngushtë dikur përdorej për transportin e drurit dhe xeheve, por sot ofron një udhëtim 19 km përmes Luginës së Rheidolit, mes pyjeve të lashta, fushave të gjera dhe peizazheve malore, ku shpesh shihen shpendë grabitqarë si shqiponjat e kuqe. Stacioni i Aberystwyth ka edhe një muze të trenave vintage.

Flåm Railway, Norvegji
Për të përjetuar natyrën e egër të Norvegjisë, zgjidhni Flåm Railway – hekurudha më e pjerrët në botë me gjerësi standarde. Ajo ndjek një itinerar malor prej 20 km nga Myrdal në Flåm, me pamje të fjordeve norvegjeze, majave me dëborë dhe ujëvarave, duke kaluar nëpër 20 tunele. Një ndalesë popullore është ujëvara Kjosfossen, si dhe rruga historike Rallarvegen, sot një itinerar i famshëm për biçikleta dhe shëtitje.

Kyle Line, Skoci
Linja Kyle në Skoci, nga Inverness në Kyle of Lochalsh, është një tjetër udhëtim ikonë. Në një rrugë 92 km për 2 orë e 40 minuta, pasagjerët shijojnë Pamjet e Highlands skoceze: male, pyje, lumenj, liqene dhe kafshë të egra si drerët. Ndalesat përfshijnë qytete e fshatra simpatike si Dingwall, Plockton dhe Attadale. Fundi i linjës ndodhet pranë kështjellës së famshme Eilean Donan dhe ishullit Skye.

Bernina Express, Zvicër
Një nga më të famshmet në Zvicër, Bernina Express është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që lidh Chur me Tirano. Itinerari kalon mbi viaduktin rrethor Brusio dhe viaduktin Landwasser, duke ofruar pamje të pakrahasueshme të Alpeve Zvicerane. Pika më e lartë është Ospizio Bernina, në 2,253 m mbi nivelin e detit, ku shihen liqene e akullnaja si Morteratsch, Lej Nair dhe Lago Bianco.

Settle-Carlisle Railway, Angli
Për pamje të qeta të fshatrave angleze, udhëtimi me trenin Settle-Carlisle është i përsosur. Ky itinerar 117 km kalon nëpër Parkun Kombëtar Yorkshire Dales dhe North Pennines, duke përfshirë ura ikonike si Ribblehead Viaduct dhe stacionin më të lartë në Angli, Dent. Një pjesë e veçantë është ngjitja 25.7 km nga Settle në Aisgill Summit – pika më e lartë e linjës.

Cinque Terre Express, Itali
Cinque Terre Express është një udhëtim i domosdoshëm për ata që duan të zbulojnë këtë zonë të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Treni shkon nga La Spezia në Levanto, me ndalesa në të pesë fshatrat shumëngjyrëshe të Cinque Terre: Corniglia, Riomaggiore, Vernazza, Manarola dhe Monterosso al Mare.
Pamjet përfshijnë vreshta të shpatit, shkëmbinj dramatikë, plazhe të arta dhe Mesdheun që shkëlqen, ndërsa udhëtarët mund të zbresin për të ecur në shtegun e famshëm Blu (Sentiero Azzuro)./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

