Teksa operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje vijon në të gjithë territorin, kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga operacioni i zhvilluar pak ditë më parë në Kepin e Rodonit. Në këtë zonë po vijohet me heqjen e inerteve.
“Rivendosje e rendit ligjor në trupin e mrekullueshëm të Kepit të Rodonit, ku u shkulën të gjitha ngrehinat e “tokës së xanun” e ku tanimë forcat e xhenjos po pastrojnë volumet e mëdha të inerteve, si dhe vullnet i plotë për ta vazhduar këtë kthesë të re për Rilindjen Urbane 2.0”, deklaroi Kryeministri Rama.
Autoritetet shtetërore njoftuan se sipërfaqja e çliruar e hapësirave publike, sidomos në kryeqytet, është duke u zgjeruar çdo ditë, ndërkohë që po punohet paralelisht për fazën tjetër, me projekte të shumta për sistemimin dhe përmirësimin e infrastrukturës.
Në fillim të muajit korrik qeveria nisi një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike në qytetet e mëdha, ndërsa bizneseve iu dha dy javë kohë për të hequr trarët dhe tendat që zënë hapësirat publike, të cilat përdoren për parkim ose lokale.
Po ashtu qeveria paralajmëroi ashpërsim të kuadrit ligjor për të gjithë ata që ndërtojnë pa leje, sikurse për inspektorët që do të tolerojnë këto ndërtime.
