Në vitin 2024, sipas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, spitalet publike dhe private në Shqipëri prodhuan gati 935 mijë kilogramë mbetje spitalore, por vetëm 0,9% e tyre, ose 751 kilogramë, u trajtuan sipas standardeve ndërkombëtare. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë ngrejnë shqetësime serioze për sigurinë mjedisore dhe shëndetin publik.
Privatët dominojnë prodhimin e mbetjeve
Sektori privat është gjeneruesi kryesor i mbetjeve spitalore, me 643 mijë kg gjatë vitit 2024, më shumë se dyfishi i sektorit publik (291 mijë kg).
Në krye qëndron Spitali Hygeia në Tiranë, me 126.915 kg, duke u renditur si institucioni shëndetësor që prodhon më shumë mbetje në të gjithë vendin. Pas tij vijnë spitalet e rrjetit Amerikan: Spitali Amerikan III – 53.411 kg, Spitali Amerikan II – 51.754,5 kg; Spitali Amerikan I – 19.838 kg.
Vetëm këto katër spitale private gjenerojnë mbi një të tretën e mbetjeve të raportuara në nivel kombëtar.
Në sektorin publik, gjeneruesit kryesorë janë tri qendra spitalore: QSUT “Nënë Tereza” – 137.389,5 kg; Spitali Shkodër – 89.531 kg; Spitali Universitar i Traumës – 74.483 kg
Këto tri institucione së bashku mbajnë peshën më të madhe të mbetjeve spitalore publike, duke reflektuar ngarkesën e madhe të sistemit shtetëror.
Mbetjet, problem i pazgjidhur
Megjithëse kompanitë private si Vale Recycling, Eco Riciklim, Medi-Tel dhe Pura Medical janë të licencuara për trajtimin e mbetjeve përmes autoklavës, djegies ose landfillit, shifrat tregojnë se menaxhimi i tyre është minimal, vetëm 751 kg mbetje të ricikluara në 2024. Vetëm një sasi simbolike është trajtuar sipas standardeve ndërkombëtare, ndërkohë që pjesa tjetër rrezikon të përbëjë burim ndotjeje për mjedisin dhe rrezik për shëndetin e qytetarëve./ekofin.al
