Kina po ndërton në heshtje rrugë alternative për të ndihmuar eksportin e mallrave drejt Evropës, pa kaluar nëpër Detin e Jugut, me qëllim shmangien e tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në rajon.
Qyteti malor i Chongqing në Kinë është shndërruar në një nyje të madhe për një rrugë tregtare tokësore që disa e quajnë “Kanal i ri i Suezit”.
Rruga shërbehet nga hekurudha dhe pritet të bëhet nyja më e rëndësishme logjistike e Azisë.
South China Morning Post raportoi se qyteti është shfaqur shpejt si një pikë strategjike në rrjetin tregtar të Kinës dhe se modeli i tij—nëse vazhdon të ketë sukses—mund ta frymëzojë qeverinë të ndërmarrë investime të ngjashme në perëndim të vendit.
Çdo ditë, qyteti menaxhon qindra ngarkesa, duke lidhur vendet e Azisë Juglindore si Vietnami dhe Singapori me Evropën, përfshirë Gjermaninë dhe Poloninë, përmes trenave të shpejtë të mallrave.
Kohë më e shkurtër transporti
Koha e dorëzimit tokësor është 10-20 ditë më e shkurtër se rrugët tradicionale detare dhe thjeshton ndjeshëm çështjet doganore. Nisja e trenit të shpejtë të ASEAN në vitin 2023 e uli kohën e transportit midis Hanoit dhe Chongqing në vetëm pesë ditë, prej nga mallrat arrijnë në Evropë për më pak se dy javë.
Përveç pozicionit strategjik, Chongqing është një qendër e madhe prodhimi: aty prodhohet rreth një e treta e laptopëve në botë, është një bazë kryesore për prodhimin e makinave elektrike dhe një qendër e rëndësishme eksporti për një të katërtën e makinave kineze.
Dimensionet gjeopolitike
Disa vëzhgues besojnë se motivet e Kinës për përdorimin e këtij qyteti nuk janë vetëm logjistike, por edhe gjeopolitike. Lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës së Donald Trump tregoi rrezikun e varësisë nga rrugët ndërkombëtare detare nën ndikimin perëndimor, si Kanali i Suezit dhe ngushticat e Hormuzit e Malakës. Pandemia e koronavirusit e thelloi edhe më shumë këtë rrezik, duke nxjerrë në pah brishtësinë e zinxhirëve detarë të furnizimit.
Me luftën ende në vazhdim në Ukrainë dhe me disa ngarkesa kineze të sekuestruara në vitin 2023, kalimi përmes Rusisë është bërë më i rrezikshëm, edhe pse tregtia dypalëshe mes dy vendeve arriti në 240 miliardë euro në vitin 2024. Për këtë arsye, Pekini po shtyn zhvillimin e një “Korridori të Mesëm” përmes Kazakistanit dhe Detit Kaspik për të shmangur Rusinë dhe ngushticat detare.
Megjithatë, Pekini përballet me shumë sfida në lidhje me vonesat doganore, kostot e larta, infrastrukturën e dobët dhe qëndrueshmërinë financiare. Shumë rrugë, veçanërisht ato brenda Nismës “Belt and Road”, janë mbështetur në subvencione shtetërore për t’i bërë më të përballueshme për eksportuesit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
