Rregullat shtesë specifike për etiketimin e verës dhe produkteve të rrushit për verë janë tashmë në fuqi me botimin e urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë në Fletoren Zyrtare.
Informacionet e detyrueshme në etiketë përfshijnë të dhënat kryesore si fortësia alkoolike, vëllimi neto, origjina, kategoria e produktit duhet të shfaqen në të njëjtën fushëpamje të etiketës, me madhësi shkronjash jo më të vogla se 1,2 mm. ndërsa lista e përbërësve dhe vlerat ushqyese mund të ofrohen edhe përmes mjeteve elektronike (p.sh. QR code), me kusht që të mos gjurmohen të dhënat e përdoruesit dhe informacioni të mos përzihet me elementë marketingu.
Substancat që shkaktojnë alergji ose intoleranca (sulfite, vezë, qumësht) duhet të shënohen drejtpërdrejt në paketim me fjalën “përmban” + emri i substancës.
Urdhri parashikon termat enologjikë të detyrueshëm ku për verërat e dealkoolizuara parashikohen tregues të rinj: “pa alkool” (≤0,5% vol.) dhe “me alkool të reduktuar” (>0,5% vol. por më pak se minimumi i kategorisë).
Fortësia alkoolike e deklaruar nuk mund të ndryshojë më shumë se 0,5% vol. nga analiza (ose deri në 0,8% vol. për verërat e ruajtura më gjatë, verërat e gazuara, të fortifikuarat dhe ato nga rrushi i tejpjekur).
Për verërat e gazuara dhe shkumbëzuese, përmbajtja e sheqerit duhet të tregohet sipas klasifikimeve të detajuara (p.sh. brut, demi-sec), me tolerancë maksimale ±3 g/l.
Etiketimi i varieteteve dhe metodave të prodhimit
Emri i varietetit të rrushit mund të përdoret në etiketë vetëm nëse të paktën 85% e verës është prodhuar nga ai varietet (ose 100% kur emërtohen disa varietete).
Lejohen vetëm emrat e njohur zyrtarisht nga OIV, UPOV ose IBPGR, si dhe listat e miratuara në Shqipëri.
Termat që lidhen me metodën e prodhimit (“fermentuar në shishe”, “metodë tradicionale”, “Crémant”) mund të përdoren vetëm kur respektohen kushtet teknologjike përkatëse (p.sh. fermentim i dytë në shishe, vjetërim ≥9 muaj).
Viti i vjeljes mund të shfaqet në etiketat e produkteve të rrushit me kusht që të paktën 85% e rrushit për verë të përdorur për prodhimin e këtyre produkteve është vjelë në vitin në fjalë. I njëjti rregull vlen edhe për emrin e varietetit. Nëse emërtohet vetëm një varietet i rrushit për verë ose sinonimi i tij, të paktën 85% e produktit duhet të jetë bërë nga ai varietet dhe nuk duhet të përfshihet sasia e produkteve për ëmbëlsim etj.
Gjtihashtu përmbajtja e sheqerit e shprehur si fruktozë dhe glukozë, mund të shfaqet në etiketën e produkteve të rrushit për verë, përveç rastit të verës së gazuar shkumbëzuese, verës së gazifikuar shkumbëzuese, verës së gazuar shkumbëzuese cilësore aromatike, për të cilin treguesi i përmbajtjes së sheqerit është i detyrueshëm.
Simbolika dhe treguesit gjeografikë
Termat si “vila”, “bodrumi”, “qilari”, “kulla”, “rezidenca”, “kështjella” etj., që i referohen një njësie prodhuese, të ndryshme nga emri i mbushësit, prodhuesit ose shitësit, rezervohen për produktet e rrushit për verë me emërtime origjine ose tregues gjeografikë të mbrojtur. Këta terma përdoren vetëm nëse produkti i rrushit për verë është bërë ekskluzivisht nga rrushi i vjelë në vreshtat e shfrytëzuara nga ajo njësi dhe prodhimi i verës kryhet tërësisht në atë njësi.
Operatorët e përfshirë në tregtimin e produktit të rrushit për verë të prodhuar në një njësi të tillë përdorin emrin e njësisë për etiketimin dhe prezantimin e atij produkti rrushi vetëm nëse njësia në fjalë jep pëlqimin me atë përdorim.
Ndërkohë, sa u përket tregtimit, verërat e gazuara shqiptare duhet të tregtohen në shishe qelqi tip “shkumbëzuese”, me tapë karakteristike dhe mbërthesë metalike, përveç rasteve të veçanta kur prodhuesit mund të zgjedhin të mos përdorin fletën metalike. /ekofin.al
