Kompania gjigante zvicerane e ushqimeve, Nestlé, njoftoi të hënën se ka shkarkuar papritur nga detyra CEO-n e saj, Laurent Freixe, për shkak se nuk kishte deklaruar një marrëdhënie romantike me një vartëse të drejtpërdrejtë – një lëvizje dramatike që vjen saktësisht një vit pasi ai mori drejtimin e kompanisë.
Prodhuesi i markave si KitKat dhe Nesquik emëroi menjëherë si pasues të tij Philipp Navratil, një drejtues me eksperiencë të gjatë brenda Nestlé, i cili deri tani kryesonte njësinë e kafesë Nespresso.
Largimi i befasishëm i Freixe rrezikon të shtojë paqëndrueshmërinë e Nestlé-së në një periudhë të vështirë për konsumatorët dhe në kushtet e tarifave tregtare të ashpra nga SHBA-ja. Sipas kompanisë, shkarkimi erdhi pas një hetimi të mbikëqyrur nga kryetari Paul Bulcke dhe drejtori i pavarur kryesor Pablo Isla, i cili zbuloi se marrëdhënia e fshehur përbënte shkelje të kodit të etikës së biznesit të Nestlé-së.
“Ky ishte një vendim i domosdoshëm,” tha Bulcke në një deklaratë. “Vlerat dhe qeverisja e Nestlé-së janë themele të forta të kompanisë. E falënderoj Laurent për vitet e shërbimit të tij.” Në qershor kompania kishte njoftuar se Bulcke do të largohej vitin e ardhshëm nga posti i kryetarit.
Një zëdhënës i Nestlé-së i tha Reuters se shqetësimet për një marrëdhënie të mundshme midis Freixe dhe një vartëseje u shfaqën për herë të parë në pranverë përmes linjës së brendshme të raportimeve të kompanisë. Bordi hapi menjëherë një hetim, i cili fillimisht mbeti i paqartë. Por, pasi dyshimet vazhduan, u krye një hetim i dytë, me ndihmën e një firme të jashtme, i cili konfirmoi marrëdhënien. Zëdhënësi shtoi se fillimisht Freixe e kishte mohuar lidhjen para bordit.
Ky shkarkim i menjëhershëm vjen saktësisht një vit pasi Nestlé kishte larguar edhe paraardhësin e tij, Mark Schneider, duke ngritur pyetje mbi drejtimin e ardhshëm të kompanisë. Megjithatë, Nestlé tha se nuk do të ndryshojë strategjinë apo objektivat e saj. “Ky ndryshim i ri do të mbajë të hapur pikëpyetjen për drejtimin afatmesëm të kompanisë,” shkruan analistët e JP Morgan në një shënim për klientët.
Aksionet e Nestlé-së kanë rënë 17% gjatë vitit të fundit, duke mbetur pas rivalëve dhe tregut të gjerë. Largimi i Freixe është pjesë e një vale ndryshimesh në drejtimet më të larta të kompanive globale të produkteve të konsumit dhe ushqimit këtë vit, ku përfshihet edhe rivali Unilever, si dhe Diageo dhe Hershey. Sjellja e menaxhmentit të lartë ka hyrë në vëzhgim të rreptë, sidomos në SHBA, ku raste të ngjashme kanë çuar në shkarkime të CEO-ve të kompanive të tjera.
Philipp Navratil, pasuesi i ri, ka nisur karrierën në Nestlé në vitin 2001 si auditor i brendshëm. Pas disa roleve tregtare në Amerikën Qendrore, në vitin 2009 u emërua drejtor për Nestlé Honduras. Në vitin 2013 mori drejtimin e biznesit të kafesë dhe pijeve në Meksikë, ndërsa në vitin 2020 kaloi në njësinë strategjike të kafesë të Nestlé-së. Në korrik 2024 ai mori drejtimin e Nespresso-s dhe që prej 1 janarit 2025 ishte anëtar i bordit ekzekutiv të kompanisë./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
