Nafta bruto Brent, standardi global, u mbyll 1% më lart të hënën, pasi u shtuan shqetësimet se sulmet ajrore të intensifikuara në Rusi dhe Ukrainë mund të çojnë në ndërprerje të furnizimit, ndërkohë që një dollar më i dobët dha mbështetje shtesë. Kontratat e së ardhmes për Brent u mbyllën me rritje prej 67 centësh, ose 1%, në 68.15 dollarë për fuçi. Ndërkohë, kontrata e së ardhmes për treguesin amerikan West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 67 centë, ose 1.1%, duke arritur 64.68 dollarë në orën 14:15 ET. Për shkak të festës së Ditës së Punës në SHBA, të hënën nuk pati mbyllje zyrtare për WTI, dhe për këtë arsye volumi i tregtimit për Brent dhe WTI mbeti i ulët.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy të dielën premtoi hakmarrje ndaj sulmeve ruse me dron ndaj objekteve energjetike në veri dhe jug të vendit të tij, si dhe urdhëroi sulme të tjera më në brendësi të territorit rus. Pas tre vitesh e gjysmë lufte, si Rusia ashtu edhe Ukraina i kanë intensifikuar sulmet ajrore javët e fundit, edhe pse po zhvillohen përpjekje për zgjidhjen e krizës.
Tregjet vazhdojnë të shqetësohen për furnizimin me naftë nga Rusia, pasi dërgesat javore nga portet e saj ranë në nivelin më të ulët katërjavor prej 2.72 milionë fuçi në ditë (bpd), sipas të dhënave të gjurmuesve të tankerëve të cituara nga analistët e ANZ.
Ndërkohë, raporti i tregut të punës në SHBA këtë javë do të japë një panoramë mbi gjendjen e ekonomisë dhe do të testojë besimin e investitorëve se uljet e normave të interesit janë afër, një pritshmëri që ka rritur oreksin për asete më të rrezikshme si mallrat. Përpara publikimit të të dhënave, dollari ishte pranë nivelit më të ulët pesëjavor të hënën, duke e bërë naftën më pak të kushtueshme për blerësit që përdorin monedha të tjera.
Vëmendja e investitorëve ishte përqendruar edhe në Pekin, ku presidenti kinez Xi Jinping, homologu rus Vladimir Putin dhe kryeministri indian Narendra Modi po marrin pjesë në një samit rajonal. Aktiviteti i prodhimit në Kinë u zgjerua me ritmin më të shpejtë të pesë muajve në gusht, sipas një sondazhi privat të publikuar të hënën. Ky zhvillim ndihmoi gjithashtu në rritjen e çmimeve të naftës dhe bakrit, tha analisti i mallrave te SEB, Bjarne Schieldrop, në një shënim për klientët.
Në fokus është gjithashtu edhe takimi i OPEC+ më 7 shtator. “Pyetja kryesore fundamentale është nëse prodhuesit e naftës të OPEC+ do të vazhdojnë të rrisin kuotat e prodhimit përtej shtatorit, me një vendim që pritet brenda ditëve,” tha analisti Tim Evans në buletinin Evans on Energy.
Sipas analistëve të HSBC, pas sezonit veror, rezervat e naftës pritet të rriten në tremujorin e fundit të vitit 2025 dhe në tremujorin e parë të vitit 2026, me një suficit prej 1.6 milionë fuçi në ditë në tremujorin e katërt./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
