Pas dhjetë vitesh, AKEP pritet të ketë një rregullore të re “Për procedurën dhe mënyrën e llogaritjes së nivelit të pagesave vjetore që kryhen në AKEP për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare”, të harmonizuar me ligjin e ri të vitit 2024 për komunikimet elektronike, e cila është në konsultim publik.
Në aspektin institucional, rregullorja e vitit 2015 parashikonte që planet e shpenzimeve të AKEP të miratoheshin nga Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Drejtues, ndërkohë projektrregullorja e re ia ka lënë këtë kompetencë vetëm Këshillit Drejtues të AKEP, duke forcuar autonominë e autoritetit dhe duke shkurtuar procedurat burokratike.
Dorëzimi i dokumentacionit dhe ndarja e llogarive
Rregullorja e re detajon më mirë hapat për dorëzimin e dokumentacionit: AKEP njofton subjektet deri më 15 shkurt; deri më 15 mars dorëzohet deklarata paraprake; ndërkohë gjithë procesi do të jetë i digjitalizuar përmes sistemit e-Aplikime.
Ndërkohë që as paraqitja e dokumentacionit nuk ndryshon (bilanci, raporti i ekspertit kontabël, pasqyrat e audituara, formulari i tatim-fitimit dhe deklarata mbi të ardhurat), projektrregullorja e vitit 2025 thekson përgjegjësinë ligjore: deklarimi i rremë për shmangien e detyrimeve konsiderohet vepër penale.
Po kështu, sipërmarrësit e komunikimeve elektronike dhe ofruesit e shërbimit postar, të cilët ushtrojnë një ose disa aktivitete të tjera të ndryshme nga komunikimet elektronike dhe shërbimi postar, duhet të zbatojnë, ndarjen e llogarive, për të evidentuar të ardhurat që vijnë nga komunikimet elektronike dhe shërbimet postare si zë më vete dhe të ndara nga të ardhurat që vijnë nga aktivitete të tjera të biznesit.
Llogaritja e pagesës dhe faturimi
Në lidhje me llogaritjen e pagesës, kufiri prej 0,5 % të të ardhurave vjetore ka mbetur i pandryshuar. Por ndërkohë që në rregulloren e mëparshme përfshihej edhe Këshilli i Ministrave në miratimin e planeve financiare, në projektrregulloren e re edhe ky tagër i takon vetëm Këshillit Drejtues të AKEP.
Sipas projektrregullores, llogaritja e pagesës vjetore për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve postare bëhet nga AKEP, duke përdorur formulën e përcaktuar në rregullore. Kjo llogaritje bazohet mbi të ardhurat e deklaruara nga çdo subjekt dhe mbi kostot administrative të AKEP për vitin përkatës, të ndara sipas dy tregjeve (komunikime elektronike dhe postare), në përputhje me planin e shpenzimeve të miratuar nga Këshilli Drejtues. Afati për kryerjen e llogaritjes është 15 ditë kalendarike, duke nisur nga momenti kur janë dorëzuar pasqyrat financiare dhe dokumentacioni i nevojshëm nga subjektet e detyruara.
Një risi është faturimi dhe pagesa. Në rregulloren e vjetër, subjektet kishin 15 ditë afat pagese pas marrjes së faturës, por tashmë në rregulloren e re, faturat janë elektronike dhe të fiskalizuara; nëse nuk refuzohen brenda 30 ditëve, ato konsiderohen automatikisht titull ekzekutiv, gjë që fuqizon AKEP për mbledhjen e pagesave dhe detyrimeve të prapambetura.
Kundërvajtjet administrative dhe dënimi me gjobë
Rregullorja e re u përmbahet penalizimeve sipas ligjit të ri nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë, i cili parashikon dënime më të ashpra, ndryshe nga rregullorja e vjetër që parashikonte si kundërvajtje administrative vetëm mosdorëzimin e bilanceve, pasqyrave financiare si dhe raporteve të audituara.
Sipas projektrregullores, më konkretisht: dënohet me 1 milion lekë moskryerja e pagesës vjetore për mbikëqyrjen e tregut të komunikimeve elektronike, nga ana e sipërmarrësit, brenda afateve të përcaktuara;
Dënohet nga 500 mijë deri në 1 milion moskryerja e pagesës vjetore për mbikëqyrjen e tregut postar, nga ana e ofruesit të shërbimit postar, brenda afateve të përcaktuara në rregullore,
Ndërsa dënimi më i ashpër parashikon gjobë 100 milionë lekë për mosrespektim të detyrimeve sipas nenit 36 të ligjit 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i cili penalizon subjektin që “ nuk krijon një person juridik të veçantë ose nuk mban llogari të veçanta financiare të të ardhurave nëse përdor rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike për përdorim vetjak, për ofrimin e shërbimeve të komunikimit publik”.
Gjithashtu, projektrregullorja e vitit 2025 shfuqizon tërësisht atë të viti 2015, duke e zëvendësuar me një tekst të ri të harmonizuar me ligjin e ri dhe më të detajuar. /ekofin.al
