Evropa po përballet me një paradoks. Nga njëra anë, kontinenti ka nevoja të mëdha për investime—nga financimi i tranzicionit të gjelbër dhe përmirësimi i infrastrukturës deri te mbështetja e inovacionit dhe konkurrueshmërisë përballë rivalëve globalë. Nga ana tjetër, familjet evropiane mbajnë triliona euro kursime, shumica e të cilave qëndrojnë pasive në depozita bankare që sjellin pak ose aspak fitim dhe kontribuojnë shumë pak në rritje. Një punim i ri i Bruegel, Mbyllja e hendekut të investimeve në Evropë: Kuptimi i potencialit të përdorimit të investitorëve institucionalë, e shqyrton këtë mospërputhje përmes lenteve të investitorëve institucionalë të Evropës, pra kompanive të sigurimeve dhe fondeve të pensioneve, të njohura si ICPFs. Këto institucione janë në zemër të problemit, por gjithashtu mund të ofrojnë një nga zgjidhjet.
Ku i mbajnë evropianët paratë e tyre?
Europianët janë zakonisht investitorë konservatorë, me shumicën e njerëzve që i mbajnë kursimet e tyre në banka, ku ato nuk fitojnë pothuajse asgjë me kalimin e viteve. Një investitor institucional është një organizatë e madhe që investon para në emër të njerëzve ose familjeve. Ndryshe nga një individ, i cili mund të blejë disa aksione ose të hapë një llogari kursimi, këto institucione menaxhojnë shuma gjigante dhe i investojnë ato në tregje të ndryshme financiare. Llojet më të zakonshme të investitorëve institucionalë janë fondet e pensioneve, që menaxhojnë kursimet e pensioneve për punëtorët, dhe kompanitë e sigurimeve, që investojnë primet ose abonimet që njerëzit paguajnë për të mbuluar pretendimet e ardhshme të sigurimeve.
Pensionet e financuara kundrejt pensioneve shtetërore të zakonshme
Raporti e paraqet pensionin dhe investimin si dy anë të së njëjtës monedhë. Popullsia që po plaket në Evropë ushtron presion mbi sistemet e pensioneve pay-as-you-go (me pagesa të menjëhershme), ndërkohë që kontinenti përballet me nevoja të mëdha financimi. Sipas këtij sistemi, paratë që punonjësit e sotëm jo-pensionistë derdhin në fondin e pensionit, tërhiqen menjëherë dhe u shpërndahen pensionistëve të sotëm. Në të ardhmen, kur punonjësit e sotëm të dalin në pension, do të jenë punonjësit e ardhshëm që do të paguajnë për pensionet e tyre. Por, nëse ke një popullsi që plaket, atëherë grupi i pensionistëve do të jetë shumë më i madh se grupi i punëtorëve që do t’i mbulojnë ata. Një skemë pensioni e financuar është një plan pensioni ku një pjesë e parave që ti dhe punëdhënësi yt paguani, në vend që të shpenzohen menjëherë, ruhen dhe investohen. Me kalimin e kohës, ato investime në aksione ose obligacione rriten, duke krijuar një fond për të ardhmen tënde kur të dalësh në pension. Skemat e financuara, nëse zgjerojnë, mund të ndihmojnë në adresimin e të dy problemeve njëherësh. Duke siguruar më shumë kursime pensioni për familjet dhe duke kanalizuar ato para në projekte afatgjata, ato bëhen një urë mes pasurisë private dhe nevojave kolektive të investimit.
Evropa kundrejt Shteteve të Bashkuara
Debati shpesh përqendrohet rreth pyetjes nëse Evropa po “humb” kapital drejt Shteteve të Bashkuara. Në fakt, pensionet dhe siguruesit evropianë mbajnë asete amerikane, veçanërisht aksione. Ndërmjet viteve 2013 dhe 2023, pjesa e aksioneve amerikane në portofolat e ICPFs evropiane u rrit nga 23% në 39%. Gjatë të njëjtës periudhë, zotërimi i borxhit amerikan u rrit më modestisht, nga 6% në 11%. Por, në raport me madhësinë e tregjeve të kapitalit në SHBA, kjo nuk është aq e madhe sa mund të duket.
“Pra, edhe pse është e vërtetë që shumë kursime në fondet e pensioneve dhe kompanitë e sigurimeve shkojnë në SHBA, është gjithashtu e vërtetë se në raport me madhësinë e tregut amerikan, nuk është edhe aq shumë. Në fakt, kjo tregon që ka nën-investim të BE-së në SHBA në tërësi,” tha Marie-Sophie Lappe, një nga autoret e raportit, për Euronews. Me fjalë të tjera, investitorët institucionalë evropianë mbeten të fokusuar kryesisht në tregun vendas. Ata preferojnë në mënyrë dërrmuese t’i mbajnë paratë brenda Evropës, veçanërisht në obligacione qeveritare dhe korporative. Kjo bie në kontrast të fortë me fondet e pensioneve amerikane, të cilat alokojnë shumë më tepër në aksione dhe investime alternative, përfshirë kapitalin sipërmarrës (venture capital).
Pse ky ndryshim?
Familjariteti, monedha dhe kujdesi luajnë rol. “Gjuha është një faktor tjetër. Rreziqet valutore kanë gjithashtu peshë, veçanërisht kur fondet e pensioneve dhe kompanitë e sigurimeve janë të detyruara të paguajnë klientët e tyre në euro,” shtoi Lappe.
Dizajni i pensioneve mbetet kompetencë e qeverive kombëtare, por BE-ja mund të luajë ende një rol mbështetës. Dokumenti i Bruegel argumenton se Brukseli duhet të fokusohet në zbatimin e praktikave më të mira si regjistrimi automatik (auto-enrolment), si dhe në përpjekjen për të bërë tregjet e kapitalit evropian më të integruara dhe më efikase. Nëse investitorët institucionalë do të mund të investonin më lirshëm përtej kufijve, ata do të kishin mundësi të rriteshin dhe të diversifikonin portofolat e tyre. Por çdo reformë, theksojnë autorët, duhet të ketë kursimtarin në qendër—pensionet janë para së gjithash për sigurinë e të ardhmes, jo thjesht një mjet për të mbuluar hendekun e financimit të Evropës./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
