Shqipëria renditet ndër vendet më pak tërheqëse për studentët ndërkombëtarë në Evropë. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat për vitin 2023, vetëm 1.7% e studentëve të arsimit të lartë në vend janë të huaj, përqindja më e ulët në Ballkan dhe një nga më të ulëtat në gjithë kontinentin.
Në rajon, situata ndryshon ndjeshëm. Maqedonia e Veriut ka 10.6% studentë të huaj, Bullgaria 8.7%, Rumania 6.7%, ndërsa Serbia 4.6% dhe Kroacia 3.7%. Edhe Greqia, ndonëse me shifra më të ulëta, arrin 3.0%, gati dyfishin e nivelit shqiptar.
Këto të dhëna tregojnë se Shqipëria është shumë më pak konkurruese krahasuar me fqinjët, edhe pse rajoni në tërësi ka potencial të kufizuar për tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë në krahasim me Evropën Perëndimore.
Shifrat tregojnë qartë se universitetet shqiptare mbeten pak tërheqëse për studentët nga jashtë. Mungesa e programeve ndërkombëtare në gjuhë të huaja, reputacioni i kufizuar akademik dhe lidhja e dobët me tregun global të punës mund të jenë ndër faktorët kryesorë për këto rezultate.
Situata në Evropë
Evropa është një nga destinacionet më tërheqëse për arsimin cilësor dhe shkëmbimin kulturor. Rreth 1.76 milionë studentë ndërkombëtarë vijnë në BE për arsimin e lartë, duke përbërë 8.4% të gjithë studentëve.
Kur zgjedhin ku të studiojnë, studentët ndërkombëtarë marrin në konsideratë shumë faktorë. Një nga pyetjet më të rëndësishme është nëse mund të punojnë gjatë studimeve. Përgjigja e shkurtër: po. Studentët universitarë ndërkombëtarë mund të punojnë në 30 vende evropiane, përfshirë shtetet anëtare të BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë dhe Islandën, me kusht që të jenë të regjistruar në arsimin e lartë. Në disa vende, nuk nevojitet leje pune, ndërsa në të tjera, kërkohet vetëm për studentët që vijnë nga jashtë BE/EEA.
Në cilat vende nevojitet leje pune?
Në 14 nga 30 vende, studentët ndërkombëtarë universitarë nuk kanë nevojë për leje pune. Këto përfshijnë: Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Irlandën, Suedinë, Finlandën, Portugalinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë. Kjo i bën këto destinacione veçanërisht tërheqëse për studentët që duan të fillojnë punën shpejt pa burokraci shtesë.
Në Austri, Belgjikë, Danimarkë, Greqi dhe Itali, vetëm studentët nga vendet jo-anëtare të BE/EEA duhet të marrin leje pune. Në Çeki dhe Kroaci, studentët jo-BE mund të kenë gjithashtu nevojë për leje pune, në varësi të rasteve individuale. Kjo tregon se pothuajse gjysma e vendeve evropiane nuk kërkojnë leje pune. Për studentët nga BE, kjo shifër arrin rreth 75%.
Ndërkohë, 8 vende kërkojnë që studentët ndërkombëtarë të pajisen me leje pune përpara se të fillojnë punën: Spanja, Holanda, Sllovenia, Norvegjia, Malta, Luksemburgu, Islanda dhe Qiproja.
Sa orë mund të punojnë dhe sa mund të fitojnë?
Në shumicën e vendeve evropiane, studentët ndërkombëtarë mund të punojnë deri në 20 orë në javë. Disa vende kanë kufij më të ulët: Luksemburgu (15 orë) dhe Holanda (16 orë). Në periudhat e verës ose pushimeve akademike, në shumë vende studentët mund të punojnë me orar të plotë.
Pagat për orë variojnë nga 3.32 € në Bullgari deri në 18 € në Luksemburg dhe 17–19 € në Islandë. Në gjysmën e vendeve, pagat janë nën 8 € për orë. Pas Bullgarisë, më të ulëtat janë Hungaria (4.19 €), Estonia (4.30 €), Letonia (4.47 €) dhe Sllovakia (4.69 €). Në krahun tjetër, pas Luksemburgut dhe Islandës, më të larta janë Norvegjia (16.86 €), Danimarka (14.74 €), Holanda (14.40 €) dhe Mbretëria e Bashkuar (14.09 €).
Bazuar në orët maksimale të lejuara dhe pagat mesatare, studentët në Mbretërinë e Bashkuar mund të fitojnë deri në 977 £ (1,127 €) në muaj. Në Gjermani dhe Spanjë, shifra është rreth 1,111 €, në Francë deri në 900 €, dhe në Itali mes 600–750 € në muaj.
Çfarë ndikon në zgjedhjen e studentëve?
Sipas Tom Miessen, CEO i StudiesIn, faktorët kryesorë janë kostoja e jetesës dhe tarifat e studimit, veçanërisht për ata që kërkojnë opsione më të përballueshme pa sakrifikuar cilësinë akademike. Vendet me universitete të vlerësuara, si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Holanda, tërheqin studentë që synojnë ekselencë akademike dhe njohje ndërkombëtare.
Gjithashtu, mundësitë për punë gjatë studimeve dhe politikat e emigracionit pas studimeve janë vendimtare, pasi studentët synojnë kalim të lehtë nga arsimi në tregun e punës. Faktorë të tjerë janë përshtatja kulturore, gjuha e mësimdhënies (veçanërisht programet në anglisht), afërsia gjeografike me vendin e origjinës, siguria, cilësia e jetës dhe shërbimet sociale.
“Studentët peshojnë këta faktorë në mënyrë që të përputhen me kapacitetin e tyre financiar, aspiratat për karrierë dhe preferencat personale, duke marrë vendime të ndryshme në gjithë Evropën,” tha Miessen.
Përqindja e studentëve ndërkombëtarë në Evropë
Në vitin 2023, mesatarja e studentëve ndërkombëtarë në arsimin e lartë në BE ishte 8.4%, sipas Eurostat.
Luksemburgu kishte përqindjen më të lartë, me 52.3% të studentëve të arsimit të lartë nga jashtë vendit, i ndjekur nga Malta (29.6%) dhe Qiproja (22.3%). Më të ulëtat u regjistruan në Greqi (3.0%), Kroaci (3.7%) dhe Spanjë (4.3%).
Në terma absolutë, Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të lartë të studentëve ndërkombëtarë: sipas House of Commons Library, në vitin 2023/24 kishte 732,285 studentë nga jashtë, që përbënin 23% të totalit. Në BE, më shumë studentë të huaj ka Gjermania (mbi 420,000), ndjekur nga Franca (276,000), Italia (106,000) dhe Spanja (102,000)./Përshtati nga Euronews, ekofin.al


