Të dhënat e vitit 2025 të OECD “Teacher support for student learning” (OECD/PISA2022) tregojnë se perceptimi i nxënësve për mbështetjen që marrin nga mësuesit e matematikës ka rënë në shumicën e vendeve gjatë dekadës së fundit.
Kjo vihet re edhe në Shqipëri, ku ulja është një nga më të thellat në gjithë OECD: mbi –15 pikë përqindje krahasuar me vitin 2012. Sot, më pak nxënës shqiptarë thonë se “mësuesi shpjegon derisa të kuptoj”, një tregues i qartë se ndihma e drejtpërdrejtë është perceptuar më pak e pranishme në klasë.
Këto të dhëna e vendosin vendin mes sistemeve arsimore më rezultat negativ në gjithë OECD, së bashku me Islandën, Lituaninë dhe Turqinë. Në kontrast, Mali i Zi shënon një rënie minimale, vetëm rreth –2 pikë përqindje, çka tregon se perceptimi i nxënësve për mbështetjen nga mësuesit ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Në mënyrë të ngjashme, edhe Kroacia ka një ulje të lehtë (–3 deri –4), ndërsa Greqia ka një rënie më të thellë (rreth –10). Kjo do të thotë se Shqipëria është e vetmja në Ballkan që shfaq një përkeqësim kaq drastik, duke u distancuar qartë nga fqinjët e saj.
Tendencë globale
OECD thekson se në shumicën e sistemeve arsimore, numri i nxënësve që thonë se “mësuesi shpjegon derisa të kuptoj” është ulur ndjeshëm në dekadën e fundit. Pra, jo vetëm në Shqipëri, por globalisht, ndihma individuale e mësuesit perceptohet më pak e pranishme. Megjithatë, ndërsa vende si Vietnami, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë përmirësuar ndjeshëm këtë tregues, Shqipëria ka lëvizur në drejtimin e kundërt.
Pse ka rëndësi kjo?
OECD thekson se kjo ka rëndësi të madhe pasi nxënësit që ndihen të mbështetur jo vetëm që performojnë më mirë në matematikë, por gjithashtu ndihen më të lidhur me shkollën dhe kanë më pak ankth për të nxënit, pavarësisht prejardhjes sociale. Kjo e bën mbështetjen e mësuesit një levë të barazisë dhe suksesit arsimor. /ekofin.al

