Sipërmarrjet personale të kriptovalutave të Presidentit Donald Trump po zgjerohen sërish, këtë herë me plane për të krijuar një kompani thesari të aseteve dixhitale që do të mbajë një kriptomonedhë alternative.
Trump Media and Technology Group, e cila operon platformën Truth Social, njoftoi të martën se po bashkëpunon me bursën e kriptovalutave Crypto.com për të krijuar një kompani që do të mbajë CRO, një token i krijuar nga Crypto.com.
Një kompani “blank-check” e lidhur me Yorkville Advisors është bashkëthemelues tjetër i firmës së re, e quajtur Trump Media CRO Strategy. Trump Media tha se planifikon të blejë 105 milionë dollarë (90,5 mln €) në CRO. Yorkville bëri të ditur se financimi i përgjithshëm i pritur për thesarin e kompanisë do të arrijë në 1 miliard $ (860 mln €) në CRO, që përbën rreth 19% të kapitalit total të tregut të token-it, plus 420 mln $ (362 mln €) në para dhe ekuivalentë dhe një linjë kredie prej 5 mld $ (4,3 mld €).
Ky njoftim është pjesë e trendit më të nxehtë në botën e kriptos, ku një gamë e gjerë kompanish, shumë prej tyre pa lidhje të dukshme me asetet dixhitale, po e bëjnë blerjen dhe mbajtjen e kriptovalutave pjesë themelore të planeve të tyre të biznesit. Ky model u frymëzua nga kompania teknologjike MicroStrategy, e cila nisi të blejë bitcoin në vitin 2020 dhe pa aksionet e saj të ngjiteshin ndjeshëm.
“Kompanitë e të gjitha madhësive dhe sektorëve po planifikojnë në mënyrë strategjike për të ardhmen duke krijuar thesarë asete digjitale, të mbështetur nga asete që ofrojnë një propozim të plotë vlere dhe që pritet të marrin edhe më shumë përdorim,” – tha Devin Nunes, kryetar dhe CEO i Trump Media, në një deklaratë.
Trump Media gjithashtu njoftoi se planifikon të prezantojë një “sistem shpërblimesh” në Truth Social që përdor infrastrukturën e portofolit digjital të Crypto.com. Çmimi i CRO u rrit të martën në mëngjes me rreth 30%, duke arritur në 21 cent për token – ende shumë më poshtë se rekordi i tij pothuajse 97 cent që arriti në vitin 2021.
Si është i përfshirë Trump në biznesin e kriptovalutave
Që nga marrja e detyrës, administrata Trump ka shtyrë për rregullore dhe ligje pro-kripto, ndërsa familja Trump ka kërkuar agresivisht të zgjerojë bizneset e saj të lidhura me këtë fushë. Kjo dinamikë e paprecedentë ka sjellë akuza për korrupsion nga demokratët, edhe pse presidenti thotë se ia ka lënë menaxhimin e bizneseve djemve të tij.
Në maj, Trump shpërbleu investitorët kryesorë të meme coin-it të tij me një darkë luksoze. Ai e nisi monedhën vetëm disa ditë para se të merrte detyrën. Përkrahësit e tij kanë pasur gjithashtu mundësi të blejnë mallra me tematikë kripto-Trump, përfshirë orë 100,000 $ (86,209 €) dhe atlete të shtrenjta.
Trump Media më herët kishte njoftuar plane për të mbajtur një sasi të konsiderueshme bitcoin në bilancet e saj, si dhe për të krijuar një fond të tregtuar në bursë (ETF) të lidhur me çmimet e pesë kriptovalutave popullore.
World Liberty Financial, një kompani kriptovalutash e nisur nga Trump dhe djemtë e tij vitin e kaluar, ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga një fond investimi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga Justin Sun, një sipërmarrës kinez i kriptos.
Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC) ka pezulluar një padi të ngritur kundër Sun në 2023, ku akuzohej kompania e tij për manipulim tregu dhe pagesa ndaj të famshëmve për promovime të padeklaruara.
Ndërkohë, një kompani pak e njohur, ALT5 Sigma, së fundmi njoftoi se planifikon të mbledhë 1,5 mld $ (1,29 mld €) për të blerë monedhat dixhitale të krijuara nga World Liberty Financial dhe se Eric Trump, djali i presidentit, do t’i bashkohet bordit të kompanisë.
Gjithashtu të martën, një firmë e quajtur Canary Capital depozitoi dokumentacionin në SEC për të shitur një fond të tregtuar në bursë që do të ndjekë çmimin e meme coin-it të presidentit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
