Shqipëria po hyn me shpejtësi në hartën e vendeve që përjetojnë fluks të lartë turistik, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë në Mesdhe.
Sipas përditësimit të korrikut 2025 të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), për të dhënat e vitit 2024, vendi ynë priti rreth 11.3 milionë vizitorë dhe me një rritje prej 16.8% përkundrejt vitit 2023. Krahasuar me një popullsi prej vetëm 2.8 milionë banorësh, kjo do të thotë se çdo shqiptar, në një kuptim simbolik, “korrespondon” me mbi 4 turistë në vit.
Në rajon, krahasimi më i afërt vjen me Malin e Zi. Edhe pse ky i fundit ka më pak turistë në total rreth 2.45 milionë, popullsia e tij shumë më e vogël e çon raportin turistë për banor pothuaj në të njëjtin nivel me Shqipërinë. Në thelb, të dy vendet po përballen me një intensitet të ngjashëm turistik, ku ndikimi mbi infrastrukturë, ekonomi dhe mjedis është shumë i ndjeshëm.
Nga ana tjetër, Greqia, që prej dekadash është destinacion i konsoliduar ndërkombëtar, pret gati 36 milionë vizitorë në vit. Megjithatë, për shkak të popullsisë më të madhe, raporti turistë për banor bie në 3.46, më i ulët se Shqipëria. Edhe Austria dhe Qiproja, dy vende me traditë të gjatë turizmi, renditen poshtë Shqipërisë në këtë tregues, me rreth 3.5 turistë për banor.
Këto të dhëna tregojnë se Shqipëria është tashmë ndër vendet e rajonit ku turizmi ka peshë disproporcionale në raport me madhësinë e popullsisë. Për një vend që deri para pak vitesh shihej si periferi e turizmit mesdhetar, ky transformim është i jashtëzakonshëm.
Sfidat që ngrihen lidhen me menaxhimin e këtij fluksi në mënyrë të qëndrueshme, në mënyrë që turizmi të jetë burim zhvillimi afatgjatë e jo presion i pakontrolluar mbi territorin dhe komunitetet lokale.
Situata globale
Në Evropë, Malta është shembull tipik: me rreth 3.6 milionë turistë për një popullsi prej vetëm 520 mijë banorësh, vendi arrin një raport prej 6.85. Pak më poshtë renditen Ishujt Kajman me 6.29 turistë për banor dhe Ishujt Mariana të Veriut me 4.6 turistë për banor.
Nga të dhënat e Turizmit të OKB-së për vendet më të ngarkuara nga turistët është shumë e qartë: janë pikërisht mikroshtetet dhe ishujt ata që mbajnë peshën më të madhe relative të vizitorëve.
Në krye të listës qëndron Andorra, një shtet i vogël në Pirenej me vetëm 80 mijë banorë, i cili pret mbi 4.1 milionë turistë në vit. Kjo sjell një raport spektakolar prej më shumë se 52 turistë për çdo banor, duke e bërë vendin më të vizituar në botë në raport me popullsinë.
Pas tij vjen Macao, territori i vogël në Kinë i njohur për kazinotë dhe lojërat e fatit. Me rreth 16.4 milionë turistë dhe vetëm 680 mijë banorë, Macao arrin një raport prej 24 turistësh për banor.
Në Karaibe e Paqësor, tabloja është e ngjashme: Turks & Caicos me 18 turistë për banorë, Aruba me 13 turistë për banorw, si dhe Ishujt e Virgjër Britanikë 10 turistë për banor tregojnë se ishujt e vegjël, të varur nga turizmi, janë më të ekspozuarit ndaj këtij fenomeni. Edhe Ishujt Cook, me vetëm 20 mijë banorë, presin rreth 170 mijë vizitorë në vit, pra mbi 8 turistë për banor. /ekofin.al


