Udhërrëfyesit në Romë bëjnë thirrje që të rishikohen oraret e hapjes së atraksioneve pas vdekjes së Giovanna Maria Giammarino.
Udhërrëfyesit turistikë në Romë kanë përsëritur thirrjet e tyre për rishikimin e orareve verore të hapjes së disa prej atraksioneve më të mëdha të qytetit, pasi njëra prej kolegeve të tyre vdiq nga një atak kardiak i dyshuar, ndërsa po udhëhiqte një grup vizitorësh në Koloseum në një të nxehtë përvëlues.
Giovanna Maria Giammarino, 56 vjeç, u rrëzua në amfiteatër në orën 18:00 të së martës. Pavarësisht përpjekjeve të turistëve dhe shërbimeve të emergjencës, ajo nuk mund të ringjallej dhe vdiq në vendngjarje.
Vdekja e saj erdhi disa javë pasi Federata Botërore e Shoqatave të Udhërrëfyesve Turistikë paralajmëroi se “nxehtësia ekstreme nuk është më përjashtim; është një realitet i ri që kërkon vëmendje, përshtatje dhe solidaritet brenda profesionit tonë”.
Ndërsa vërshonin homazhet dhe ngushëllimet, Shoqata e Udhërrëfyesve të Licencuar të Italisë (AGTA) tha se vdekja e Giammarino-s ishte dëshmi e barrës fizike që mbart ky profesion mbi trupin, dhe u bëri thirrje autoriteteve që të zgjasin oraret e hapjes së Koloseumit, në mënyrë që turet të zhvillohen në freskinë e mëngjesit herët ose mbrëmjes vonë.
Koloseumi është i hapur nga ora 8:30 deri në 19:15, nga fundi i marsit deri në fund të shtatorit.
“Para së gjithash, oraret e hapjes së Parkut Arkeologjik të Koloseumit [që përfshin Koloseumin, Forumin dhe Kodrën Palatine] duhet të ndryshojnë gjatë verës”, tha AGTA në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale.
“Është e kotë të flasim për një ‘emergjencë të nxehtësisë’ çdo vit sikur kjo të ishte diçka e re: ndryshimet klimatike janë fakt dhe prej disa vitesh, puna në Forumin Romak nga ora 10:00 deri në 16:30 është bërë e padurueshme.”
Shoqata tha se nga fillimi i qershorit deri “të paktën në fund të gushtit”, oraret e hapjes së zonës së Koloseumit duhet të jenë nga ora 7:00 deri në 20:15.
“Prej tre vitesh, ne kemi kërkuar që hapja e gjithë parkut të bëhet në orën 7:00 dhe mbyllja të shtyhet me një orë,” tha AGTA. “Këto ndryshime do të përfitonin shëndetit publik të të gjithëve: vizitorëve, udhërrëfyesve dhe punëtorëve të tjerë.”
Shoqata tha gjithashtu se pensionet e pakta dhe pasiguria ekonomike i kanë detyruar shumë anëtarë të saj të punojnë në ritme të pakëndshme dhe të papërballueshme për të mbajtur familjet.
“[Të martën] një udhërrëfyes u largua përgjithmonë, por vitet e fundit shumë të tjerë kanë braktisur këtë aktivitet për punë ‘më të sigurta’ dhe më pak kërkuese,” shtohej në deklaratë. “Ne kemi nevojë për më shumë mbrojtje.”
Autoritetet e Koloseumit shprehën ngushëllimet e tyre për familjen e Giammarino-s dhe vlerësuan “përkushtimin e saj profesional”. Ministri i kulturës i Italisë, Alessandro Giuli, tha se vdekja e saj “nënvizon fuqishëm vlerën njerëzore dhe profesionale të atyre që, çdo ditë, kontribuojnë në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë historike dhe artistike”. Në një gjest respekti dhe zie, dritat e Koloseumit u fikën në orën 21:00 të së mërkurës.
Muajin e kaluar, Federata Kombëtare e Udhërrëfyesve Turistikë të Italisë, Federagit, gjithashtu kërkoi që hapja e Parkut Arkeologjik të Koloseumit të bëhej një orë më herët.
Francesca Duimich, e cila përfaqëson 300 udhërrëfyes romakë, tha se shpesh turistë të dehidratuar humbin ndjenjat në të nxehtin e verës në Romë.
“Forumi është një gropë; nuk ka hije, nuk ka erë,” i tha Duimich agjencisë Associated Press. “Të jesh atje në orën 13:00 ose 14:00 në vapën e verës do të thotë se do të ndihesh keq.”/ Përshtati nga The Guardian, ekofin.al
