Numri i kartave të emetuara nga bankat dhe të vlefshme ose aktive, arriti mbi 1 milion e 482 mijë në tremujorin e dytë të 2024-ës. Ky total përshin karta të cilat kryejnë më shumë se një funksion. Ndërkohë, pothuajse 26 mijë karta të reja rezultojnë të jenë lëshuar nga bankat e nivelit të dytë në periudhën prill-qershor.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rreth 1 milion e 413 mijë janë karta me funksion pagese, prej të cilave 1 milionë e 292 mijë janë karta debiti dhe 120,856 karta krediti. Në tremujorin e dytë numërohen 27 mijë karta debiti më shumë se në periudhën janar-mars, ndërsa 285 karta të reja krediti janë dhënë nga bankat. Një numër më i lartë i kartave në treg nënkupton një rritje të përfshirjes financiare të individëve, të cilët po aksesojnë gjithnjë e më tepër shërbimet bankare.
Gjithashtu, përdorimi më i madh i kartave bankare nga qytetarët dhe bizneset është tregues i reduktimit të parasë cash në ekonomi dhe drejtimit për nga paraja elektronike, duke kontribuar kështu edhe në formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.

