Situata e zjarreve në Shqipëri këtë verë ka qenë një prej sfidave më të mëdha për pushtetin vendor dhe emergjencat civile. Temperaturat e larta, thatësirat e zgjatura, zjarrvëniet e qëllimshme dhe terrenet e vështira kanë shtuar rrezikun e shpërthimit të zjarreve, shpesh duke vënë në pikëpyetje aftësinë e strukturave vendore për t’u përballur me to.
Në fakt, raporti i Insitutit të Bashkive të Shqipërisë vuri në dukje mungesën e planifikimit vendor: 33 nga 61 bashki nuk kanë hartuar ende plane menaxhimi për pyjet që administrojnë, duke vënë në rrezik reagimin efektiv në raste emergjence dhe duke shtuar pasigurinë për mjedisin dhe komunitetet.
Të dhënat tregojnë se kapacitetet në terren mbeten të ulëta, sidomos për bashkitë e mëdha. Në rang kombëtar, Shqipëria ka vetëm 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë dhe 0.9 automjete zjarrfikëse për 10,000 banorë, ndërkohë që nevojat reale janë shumë më të mëdha, veçanërisht në rastet e zjarreve pyjore.
Për t’iu përgjigjur sfidave të krijuara nga zjarret, menjëherë pasi ato u neutralizuan, tri bashki të vendit Has, Përmet dhe Shijak, kanë hapur procedura prokurimi për të blerë mjete zjarrfikëse. Ajo që bie në sy është se procedurat janë hedhur në sistemin e prokurimeve në të njëjtën ditë nga këto bashki, gjë që mund të ketë qenë edhe rastësi. Populli në disa të tilla ka shprehjen “pas pilafit”, megjithatë duhet vlerësuar përpjekja e këtyre bashkive për të përforcuar flotën e zjarrfikëseve.
Has, dy mjete zjarrfikëse 4×4
Bashkia Has ka shpallur tenderin për blerjen e dy mjeteve zjarrfikëse 4×4 të tipit pick-up, me fond limit prej 10 milionë lekësh pa TVSH. Financimi do të ndahet në dy vite: 6,72 milionë lekë me TVSH për vitin 2025 dhe 5,28 milionë lekë me TVSH për vitin 2026. Kontrata do të zbatohet brenda 30 ditëve, ndërsa ofertat duhet të dorëzohen deri më 29 gusht 2025, ora 09:00. Kjo është një procedurë e rishpallur, pas anulimit të një tenderi të mëparshëm me të njëjtin objekt.
Përmet: një zjarrfikëse e re
Bashkia Përmet ka hapur një procedurë për blerjen e një mjeti zjarrfikës, me fond limit prej 9,83 milionë lekësh pa TVSH. Financimi është ndarë në dy faza: 5,6 milionë lekë në 2025 dhe 4,23 milionë lekë në 2026. Kontrata ka afat zbatimi 35 ditë nga nënshkrimi, dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave është më 3 shtator 2025, ora 11:00. Investimi synon të përmirësojë ndjeshëm gatishmërinë e bashkisë në rast emergjencash.
Shijak: një zjarrfikëse e re
Bashkia Shijak ka shpallur gjithashtu një tender për blerjen e një automjeti zjarrfikës, me një fond limit prej 10 milionë lekësh pa TVSH. Afati i zbatimit të kontratës është 1 muaj, ndërsa operatorët ekonomikë mund të dorëzojnë ofertat deri më 3 shtator 2025, ora 10:00.
Ndërsa Bashkia Finiq ka shpallur procedurën e prokurimit për “Mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe bateri për mjetet e lehta dhe zjarrfikëset” me një fond limit prej 3, 050, 000 lekë pa TVSH./ekofin.al
