Ligji i ri për koncesionet dhe partneritetin publik privat tashmë është depozituar në Kuvend dhe pritet të ketë ndryshime të rëndësishme sa u takon autoriteteve kontraktuese, rolin e disa agjencive, përjashtimin e disa lloje shërbimesh nga koncesioni. Gjithashtu ligji detajon më mirë përllogaritjen e vlerës së koncensionit si dhe përcakton për herë të parë koncesionet e rezervuara dhe ato të shërbimeve të kërkimit dhe zhvillimit.
Nga të dhënat e analizuara nga Open Data Albania për periudhën 2015-2023, rezultojnë të nënshkruara 47 kontrata koncesioni dhe PPP, por në total 10 prej tyre rezultojnë të jenë financuar me kredi nga sektori bankar.
Për tri prej këtyre kontratave koncesionare, nuk ka informacion në lidhje me vlerën e kredisë së marrë nga sektori bankar. Bëhet fjalë për kontratën “ Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit me shoqëri zbatuese Integrated Techonolgy Waste Treatment Fier, sh.p.k; Kontratën për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë Tiranë me zbatues shoqëria koncesionare Z.M.A sh.p.k; si dhe kontratën “Për rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit me shoqëri Koncesionare “Kukës International Airport sh.p.k.”
Megjithatë, për të tria këto kontrata ka Marrëveshje Sigurimi Kuotash të lidhura mes shoqërive koncesionare dhe bankave tregtare (respektivisht Banka Credins dhe Banka Raiffeisen), por në këto marrëveshje nuk ka informacion në lidhje me vlerën e kredisë së marrë. Shtatë kompanitë e tjera janë financuar me kredi nga sektori bankar me vlerën e përgjithshme rreth 24.8 miliardë lekë apo rreth 250 milionë Euro./ekofin.al

