Të ardhurat nga TVSH në import për periudhën janar–maj 2025 kanë arritur në 62.3 miliardë lekë, duke qenë 514 milionë lekë ose 0.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Megjithatë, shifrat mbeten 4.1 miliardë lekë më pak se plani, duke sjellë një mosrealizim prej -6.1% në raport me planin janar – maj 2025.
Një nga zërat kryesorë që kanë ndikuar negativisht lidhet me tregun e automjeteve. Importi i automjeteve të përdorura ka sjellë një efekt negativ prej -665 milionë lekësh (-16%), ndërsa automjetet e reja kanë dhënë një ndikim negativ prej -333 milionë lekësh (-27%) krahasuar me vitin e kaluar.
Në të njëjtën linjë, sipas DPSHTRR, numri i mjeteve të regjistruara në pesëmujorin e parë 2025 ka qenë 38,028, nga të cilat 81.2% autovetura, duke rënë ndjeshëm krahasuar me 41,535 mjete të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Automjetet, sidomos të përdorurat, kanë pasur gjithmonë një peshë të madhe në arkëtimin e TVSH-së nga importet. Rënia e regjistrimeve është një tregues i ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe mbingopjes së tregut të makinave.
Gjithashtu, për shumicën e shoqërisë, kostoja e lartë e jetesës, si dhe kostoja e mirëmbajtjes së mjeteve janë arsyet e vështirësisë financiare që reflektohet edhe një këtë sektor të ekonomisë së vendit./ekofin.al
