Në kuadër të përshpejtimit të transformimit digjital dhe procesit të integrimit evropian, Shqipëria ka hartuar Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale 2025-2030, e cila synon të aplikojë teknologjitë e avancuara të IA-së në fusha kyçe të administratës publike dhe ekonomisë. Dokumenti parashikon masa konkrete për modernizimin e shërbimeve, rritjen e transparencës, përmirësimin e efikasitetit dhe forcimin e konkurrueshmërisë, duke mbuluar sektorë si drejtësia, financat publike, bujqësia, prokurimi publik, shëndetësia, arsimi dhe bashkëqeverisja.
Strategjia është e ndërtuar në përputhje me Aktin për Inteligjencën Artificiale të Bashkimit Evropian (EU AI Act) – legjislacioni i parë gjithëpërfshirës ndërkombëtar që vendos standarde të qarta për zhvillimin dhe përdorimin e IA-së në mënyrë të sigurt, etike dhe të qëndrueshme. Përmes këtij dokumenti, Shqipëria synon të pozicionohet si një vend lider rajonal në qeverisjen e avancuar digjitale, duke garantuar që përfitimet e IA-së të shfrytëzohen në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Fushat ku do të veprojë
Sipas dokumentit, IA do të përdoret nga Ministria e Drejtësisë për të gjetur mbivendosjet ligjore, përmes një moduli të posaçëm të mbështetur nga GPT për të konsultuar legjislacionin e përditësuar në Fletoren Zyrtare, si dhe për të krahasuar versionet e ligjeve dhe identifikuar kundërshtitë. Sistemi gjeneron tabela krahasuese dhe arsyetime ligjore, duke përshpejtuar harmonizimin me standardet e BE-së.
IA do të ndihmojë në Analizën fiskale dhe lufta kundër evazionit. Modelet e posaçme të IA do të analizojnë në kohë reale faturat elektronike dhe deklaratat doganore për të zbuluar anomali dhe transaksione të dyshimta, duke reduktuar evazionin fiskal, krimin financiar, korrupsionin dhe kohën e përpunimit.
Po kështu edhe Bujqësia do të ketë një projekt pilot të AKSHI-t dhe Ministrisë së Bujqësisë për të analizuar të dhënat e prodhimit bujqësor dhe për të parashikuar sasinë, cilësinë dhe rreziqet si thatësirat apo përmbytjet, duke u bazuar në të dhëna meteorologjike e satelitore.
Më herët Kryeministri Rama kishte folur për IA në Prokurimin publik. Tashmë në Strategjinë Kombëtare qeveria synon automatizimin e plotë të procedurave të prokurimit përmes një sistemi të drejtuar nga IA, duke zëvendësuar dokumentacionin fizik me dosje virtuale dhe duke integruar teknologji “machine learning” për hartimin e termave të referencës, vendosjen e kritereve dhe vlerësimin objektiv të ofertave. Sistemi do të lidhet me “e-Certis” dhe Dritaren e Vetme Doganore, duke rritur transparencën, ulur korrupsionin dhe kursyer fonde publike.
IA do të përdoret edhe në Kujdesin shëndetësor dhe do të ndihmojë në diagnostikim të hershëm, analizë të saktë të imazheve mjekësore, hartim të planeve të personalizuara të trajtimit dhe parashikim të ecurisë së sëmundjeve, duke kaluar drejt një kujdesi më proaktiv dhe të orientuar te pacienti.
Në fushën e Arsimit IA do të përdoret për analiza parashikuese të performancës së nxënësve, optimizimin e kurrikulës, krijimin e asistentëve virtualë për mësimdhënie, vlerësim të automatizuar të detyrave dhe planifikim më efektiv të orëve mësimore
Edhe Bashkëqeverisja – Platforma e ankesave – do të automatizohet plotësisht me IA, e cila do të analizojë përmbajtjen, të identifikojë boshllëqe ligjore dhe të gjenerojë rekomandime standarde. Kjo do të sigurojë përgjigje të sakta, transparente dhe të gjurmueshme, duke fuqizuar përmirësimin e shërbimeve publike.
Si pjesë e procesit të integrimit evropian dhe avancimit të qeverisjes digjitale, Shqipëria synon të harmonizojë kuadrin e saj ligjor dhe rregullator me Aktin për Inteligjencën Artificiale të Bashkimit Evropian (EU AI Act). Ky Akt, duke qenë legjislacioni i parë ndërkombëtar i detajuar që synon të rregullojë zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale në mënyrë të sigurt, etike dhe të qëndrueshme, shërben si pikë referimi themelore për shtetet anëtare si dhe për vendet kandidate. /ekofin.al
