Eastman Kodak Company, kompania ikonike e printimit dhe imazherisë e themeluar në vitin 1880, ka reaguar ndaj raportimeve se mund të mos vazhdojë aktivitetin edhe për shumë gjatë. Në raportin financiar të tremujorit të dytë, të publikuar të hënën dhe të pasqyruar nga disa media, Kodak deklaroi se ekziston “dyshim i konsiderueshëm mbi aftësinë e kompanisë për të vijuar si një biznes në funksion” pas 145 vitesh.
Sipas raportit, fitimi bruto i kompanisë ra me rreth 12%, ose 7 milionë dollarë, nga 58 milionë dollarë në tremujorin e dytë të vitit 2024 në 51 milionë dollarë në të njëjtin tremujor të vitit 2025. Gjithashtu, kompania ka detyrime borxhi që duhet t’i shlyejë brenda vitit të ardhshëm.
Megjithatë, në një deklaratë për ABC News të mërkurën, Kodak tha se “është e bindur se do të mund të shlyejë një pjesë të konsiderueshme të kredisë afatgjatë shumë përpara maturimit të saj, si dhe të ndryshojë, zgjasë ose rifinancojë borxhin e mbetur dhe/ose detyrimet mbi aksionet e preferuara”.
Siç raportoi Wall Street Journal në nëntor 2024, Kodak po i jep fund planit të pensionit për ish-punonjësit amerikanë, për të ndihmuar në uljen e borxhit. Pasi pensionistët të marrin pagesat e tyre, fondet e mbetura do të drejtohen për shlyerjen e borxheve ekzistuese. Në deklaratën e përfshirë në raportin financiar të së hënës, drejtori financiar (CFO) David Bullwinkle tha se kompania pret që deri të premten, më 15 gusht, të dijë “se si do t’i përmbushë detyrimet ndaj të gjithë pjesëmarrësve të planit [të pensionit]” dhe synon të përfundojë procesin deri në dhjetor 2025.
Ai shtoi se “për gjysmën e dytë të vitit, do të fokusohemi në uljen e kostove dhe kthimin e investimeve tona në rritje afatgjatë”. Kodiak e konfirmoi këtë qasje edhe në deklaratën për ABC News: “Për të financuar shlyerjen, ne planifikojmë të përdorim rreth 300 milionë dollarë nga fondet që presim të marrim nga kthimi dhe likuidimi i fondit të pensionit amerikan (Kodak Retirement Income Plan – KRIP) në dhjetor. Pasi ky proces të përfundojë, Kodak praktikisht do të jetë pa borxhe neto dhe do të ketë bilancin financiar më të fortë në vite.”
Kodak e kishte paralajmëruar këtë shqetësim në një dokument të paraqitur në Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC) në qershor. Termi “going concern” nënkupton se një biznes pritet të përmbushë të gjitha detyrimet financiare dhe të vazhdojë të operojë normalisht për të paktën 12 muaj. “Në datën e lëshimit të këtyre pasqyrave financiare, Kodak ka borxhe që maturohen brenda 12 muajve dhe nuk ka financim të siguruar ose likuiditet të mjaftueshëm për t’i përmbushur këto detyrime nëse ato bëhen të pagueshme sipas kushteve aktuale,” thuhet në dokumentin e 30 qershorit. “Këto rrethana ngrejnë dyshime të mëdha mbi aftësinë e Kodak për të vijuar si një biznes në funksion.”
Për vite me radhë, Kodak ka gëzuar një histori të lavdishme, me arritje të rëndësishme si shpikja e kamerës së parë digjitale në botë në vitin 1975 dhe mbajtja e 79 mijë patentave në mbarë botën. Në dekadat e fundit, kompania është përballur me vështirësi për t’u përshtatur me kalimin nga filmi në fotografinë digjitale, duke paraqitur kërkesë për falimentim në vitin 2012. Pas riorganizimit dhe rikthimit nga falimentimi, Kodak është fokusuar më shumë në biznesin e materialeve dhe kimikateve të avancuara, si dhe në prodhim e farmaceutikë./ Përshtati nga ABC News, ekofin.al
