Projekligji “Për koncesionet dhe partneritetet publik-privat (PPP)” është depozituar tashmë në Kuvend, i rishikuar edhe me komentet e palëve të interesuara.
Procesi i rishikimit ka marrë një sërë komentesh dhe sugjerimesh nga FAD IMF – Departamenti i Çështjeve Fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar- dhe palëve të tjera të interesuara, që lidhen me rolin e Ministrisë së Financave në miratimin e projekteve, procedurat e studimit të fizibilitetit, menaxhimin e rreziqeve fiskale dhe transparencën në propozimet e pakërkuara.
FMN kishte ngritur shqetësimin se miratimi i projekteve të koncensionit /PPP nga Ministria e Financave bëhet shumë vonë (vetëm në fazën e fizibilitetit), kur projektet tashmë kanë marrë hov ndaj ka rekomanduar përfshirjen në fazën e konceptit/idesë. Përveç kësaj, sipas FMN dhe nevojitet edhe formalizimi i hapave përgatitore para vlerësimit të fizibilitetit, pasi mungojnë në draft.
Ky koment duket se nuk është marrë parasysh nga MEKI, pasi edhe në draftin e projektligjit të depozituar në Kuvend, përcaktimi ka mbetur i njëjtë. MEKI sqaron se projektligji është harmonizuar me VKM nr. 887 dhe ligjin për Menaxhimin e Investimeve Publike (PIM). Për projektet kombëtare dhe mbi prag, studimi i fizibilitetit duhet të jetë gati që në fillim; për projektet më të vogla shmanget ngarkesa e panevojshme mbi Ministrinë e Financave.
Projektligji në konsultim parashishonte propozimet e pakërkuara, duke përcaktuar se autoriteti ose enti kontraktues autorizohej të shqyrtonte dhe të pranonte propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose shërbimeve në: porte, aeroporte, energjinë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, me përjashtim të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike nga burimet hidrike, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë nen, me kusht që këto propozime të mos kenë të bëjnë me një projekt për të cilin procedurat e përzgjedhjes kanë nisur apo janë shpallur”.
FMN kishte kërkuar eliminimin e propozimeve të pakërkuara, pasi përbëjnë 80 % të PPP-ve dhe rrisin rrezikun për vendimmarrje jo transparente. Ky sugjerim është marrë plotësisht në konsideratë nga MEKI dhe çdo parashikim për këto propozime është hequr nga projektligji i depozituar në Kuvend.
Gjithsesi, MEKI është shprehur se varianti i mëparshëm (neni 48) parashikonte që nëse procedura e nisur nga propozimi i pakërkuar rezulton e suksesshme, dhe propozuesi nuk shpallet fitues i procedurës, atëherë ai mund të kompensohet deri në masën 1% të kostove të investimit. Pra, nuk ekzistonte rreziku i një numri të madh propozimesh të pakërkuara, pasi për të përfituar kompensim. Ideja duhej të rezultonte e suksesshme dhe të përfundonte me lidhjen e një kontrate, dhe njëkohësisht, fituesi nuk duhej të ishte vetë propozuesi. Gjithsesi, të gjitha parashikimet për propozimin e pakërkuar janë hequr, theksohet në dokument.
Komentit të FMN se mungon përmendja e tavanit vjetor për pagesat buxhetore për PPP-të (aktualisht 5 % të të ardhurave), MEKI i është përgjigjur se nuk ka nevojë të përfshihet një klauzolë e tillë në ligjin për koncesionet/PPP-të, kur ajo parashikohet tashmë në ligjin për Menaxhimin e Sistemit të Buxhetit. Për më tepër, një kufi i tillë do të zbatohej për ministritë, ndërsa është e paqartë se çfarë do të ndodhte me bashkitë apo me autoritetet e tjera kontraktuese ose entet kontraktuese.
FMN kishte ngritur gjithashtu shqetësimin se draftligji heq vlerësimin strategjik nga Agjencia e Planifikimit dhe krijon rrezik për projekte që s’janë në përputhje me prioritetet zhvillimore. Por, sipas MEKIT, projektligji për koncesionet mban një qëndrim neutral në lidhje me mënyrën se si legjislacioni për Menaxhimin e Investimeve Publike (PIM) do të përshtatet ose ndryshohet (duke qenë se, në fund të fundit, VKM nr. 877 rrjedh nga një ligj tjetër). Megjithatë, ai parashikon që, për projektet që bien brenda fushës së zbatimit të këtij legjislacioni, dispozitat përkatëse të tij të zbatohen në mënyrë të përshtatshme.
“Theksojmë se të gjitha rekomandimet e dhëna deri më tani kanë theksuar nevojën që ligji për Koncesionet/PPP-të të harmonizohet me legjislacionin për PIM-in, dhe jo që ky i fundit të qeverisë investimet publike në tërësi. Projektligji, në formën aktuale, parashikon që për projektet që janë pjesë e Listës Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, vlerësimi, prioritizimi, studimet e fizibilitetit etj., të merren nga organet përkatëse (duke përfshirë edhe SASPAC-un), dhe më pas të kalojnë thjesht në fazën e tenderimit. Për projektet e tjera, studimi i fizibilitetit do të hartohet nga autoritetet kontraktuese dhe do të shqyrtohet nga Ministria e Financave“, shprehet MEKI.
Po kështu edhe sa i përket komentit të FMN se Komisioni i PPP-ve nuk duhet të hartojë vetë studimin e fizibilitetit, për të shmangur konfliktin e interesit dhe kjo duhet t’u lihet ministrive përkatëse, MEKI është shprehur se për projektet më të mëdha me rëndësi kombëtare, studimet e fizibilitetit do të hartohen në përputhje me legjislacionin PIM. Për ato projekte që nuk bien brenda fushës së zbatimit të legjislacionit PIM (kjo fushë përcaktohet nga legjislacioni përkatës dhe Ministria e Financave, e cila miraton pragjet, ndër të tjera), do të zbatohen rregullat e këtij ligji, ku studimi i fizibilitetit do të hartohet nga një komision i ngritur nga autoriteti kontraktues. Në thelb, ligji parashikon dy trajektore të ndara: njëra për projektet PIM, të cilat do të kalojnë vetëm në fazën e tenderimit nga komisioni; tjetra për projektet e tjera, ku studimi i fizibilitetit do të hartohet nga komisioni.
Në rishikimin e projektligjit, studimi i fizibilitetit për projektet e institucioneve qendrore do të kryhet nga një Institucioni përgjegjës për koncesionet dhe partneritetin publik privat në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa për institucionet e vetëqeverisjes vendore dhe entet juridike që i financuar kryesisht nga shteti, studimet e fizibilitetit hartohen kundrejt pagesës së një tarife të posaçme dhe në varësi të disponueshmërisë, parashikohet në projektligjin e depozituar në Kuvend.
MEKI gjithashtu ka pranuar pjesërisht komentet e Dhomës Amerikane të Tregtisë për rishikimin e disa dispozitave për të qenë në linjë me Direktivat e BE-së, si dhe ka pranuar propozimin e Albanian Institute of Science (AIS), për heqjen e koncensioneve me 1 euro. /ekofin.al
