Një tjetër projekligj në konsultim publik parashikon kushtet e themelimit të një Shoqërie Evropiane (SE) me seli të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
Sipas draftit, SE-ja fiton personalitetin juridik ditën e regjistrimit të saj në regjistrin tregtar të mbajtur nga QKB. Selia e regjistruar e SE-së duhet të përkojë me vendin ku ushtrohen funksionet kryesore të administrimit të saj (drejtimi qendror), duke përfshirë vendndodhjen e organeve ekzekutive dhe mbajtjen e dokumentacionit të shoqërisë.
Nëse Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) konstaton se drejtimi qendror i një SE-je me seli të regjistruar në Republikën e Shqipërisë është transferuar në një shtet tjetër, ajo i kërkon SE-së që, brenda një afati të arsyeshëm të përcaktuar prej saj, të rikthejë drejtimin qendror në territorin e Republikës së Shqipërisë ose të nisë procedurën për transferimin e selisë së regjistruar në një shtet tjetër.
Nëse SE-ja nuk vepron sipas kërkesës së QKB-së brenda afatit të vendosur nga QKB-ja, kjo e fundit i kërkon gjykatës kompetente fillimin e procedurave për likuidimin e shoqërisë. Mbi bazën e kësaj kërkese, QKB bën shënimin në regjistrin tregtar se ka kërkuar fillimin e procedurave për likuidimin e SE-së.
Ligji parashikon se Shoqëria Evropiane (SE) është një shoqëri aksionare, kapitali i së cilës ndahet në aksione. Kapitali minimal i nënshkruar nuk mund të jetë më i ulët se 120 000 euro ose ekuivalenti në lekë në datën e themelimit.
Selia e regjistruar e një SE-je mund të transferohet në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian. Ky transferim nuk sjell likuidimin e SE-së dhe as krijimin e një personi juridik të ri në shtetin në të cilin selia e regjistruar transferohet. Nëse transferimi i selisë së regjistruar të shoqërisë cenon të drejtat e dhëna me statutin e shoqërisë një aksionari të caktuar ose disa prej tyre, vendimi për transferimin e selisë së regjistruar kërkon pëlqimin e atij ose atyre aksionarëve.
Çdo aksionar që deklaron kundërshtimin e tij ndaj vendimit për transferimin e selisë së regjistruar gjatë asamblesë së përgjithshme, të shënuar në procesverbal, ka të drejtë t’i kërkojë shoqërisë ose palës së tretë që ka ofruar të paguajë kompensimin në para, që t’i paguajë atij një kompensim të përshtatshëm në para, me kusht që ai t’ia transferojë aksionet e tij shoqërisë.
Kërkesa për regjistrim nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian në Republikën e Shqipërisë
Të gjithë anëtarët e organit administrativ duhet të paraqesin një kërkesë për regjistrimin të transferimit të selisë së SE-së në Republikën e Shqipërisë. Me paraqitjen e kërkesës, duhet të provohet ekzistenca e SE-së. Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten i gjithë dokumentacioni i kërkuar nga dispozitat e legjislacioni shqiptar për regjistrimin e shoqërive aksionare duke përfshirë por duke mos u kufizuar në origjinalin ose kopjen e noterizuar dhe nëse dokumentet nuk janë në gjuhën shqipe, përkthimet e tyre të certifikuara nga noteri përfshirë statutin etj.
Përveç kësaj duhet të vërtetohet se ndaj shoqërisë nuk është duke u zhvilluar asnjë procedurë për mbylljen e saj, se ajo nuk është në likuidim, se nuk është e paaftë për të paguar borxhet etj.
Pas përfundimit të regjistrimit, QKB duhet të njoftojë organin kompetent që mban regjistrin në shtetin në të cilin shoqëria ishte regjistruar më parë.
Një tjetër parashikim ka të bëjë me anëtarët e organeve drejtuese. Askush nuk mund të jetë anëtar i ndonjë organi të SE-së apo përfaqësues i një anëtari nëse është i përjashtuar nga e drejta për të qenë anëtar i organit përkatës të një shoqërie aksionare sipas ligjit të shtetit anëtar të Bashkimit Evropian ku SE-ja ka selinë; ose është i përjashtuar nga kjo e drejtë me vendim gjyqësor apo administrativ në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian.
Anëtarët e organeve të SE-së janë të detyruar, edhe pas përfundimit të mandatit të tyre konfidencialitetin e informacionit edhe pas përfundimit të mandatit, duke mos zbuluar të dhëna që mund të dëmtojnë interesat e shoqërisë, përveç kur publikimi kërkohet ose lejohet nga ligji apo nga organet me të drejtë ligjore ta kërkojnë.
Ligji rregullon gjithashtu pjesëmarrjen e punëmarrësve në një Shoqëri Evropiane me seli në Shqipëri. Kjo e drejtë rregullohet sipas ligjit shqiptar, duke garantuar të drejtën për informim, konsultim dhe, kur parashikohet, përfaqësim në organet vendimmarrëse. Kur krijimi i SE-së përfshin shoqëri nga juridiksione të ndryshme, pjesëmarrja përcaktohet me marrëveshje mes palëve, e hartuar nga një grup i posaçëm negociues.
Në mungesë të marrëveshjes brenda afateve ligjore, zbatohen rregullat shqiptare për përfaqësimin kolektiv. QKB nuk regjistron SE-në pa provuar respektimin e këtyre dispozitave ose pamundësinë për arritjen e marrëveshjes.
Në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen./ekofin.al
