Ministria e Ekonomisë ka hedhur për konsultim projektligjin me shtesa e ndryshime në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, që synon modernizimin e procedurave të regjistrimit, forcimin e kontrollit mbi administratorët dhe garantimin e mbrojtjes së kapitalit dhe kreditorëve.
Projektligji parashikon që degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive shqiptare apo të huaja të mund të regjistrohen edhe në distancë, përmes mjeteve elektronike. Saktësohet gjithashtu kur një degë pushon së ekzistuari dhe procedurat për çregjistrimin e saj.
Kur një degë i përket një shoqërie të huaj, në dokumentet zyrtare do të duhet të deklarohet edhe regjistri ku është regjistruar shoqëria e huaj dhe numri i saj i regjistrimit.
Projektligji parashikon gjithashtu masa më të rrepta për emërimin e administratorëve. Më konkretisht, ndalohet emërimi si administrator, anëtar bordi apo përfaqësues i aksionarëve i personave të dënuar për vepra penale në Shqipëri apo jashtë vendit, ose ndaj të cilëve ka masa ndalimi për ushtrimin e profesionit. Për këtë arsye do të krijohet një regjistër publik i personave të përjashtuar, i administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Çdo person i emëruar duhet të firmosë një deklaratë që konfirmon mungesën e pengesave ligjore.
Po kështu për për mbrojtur kapitalin janë vendosur kufizime për shpërndarjen e fitimit. Ky veprim lejohet vetëm nëse pasuria neto e shoqërisë nuk bie nën kapitalin e regjistruar dhe rezervat e patjetërsueshme. Parashikohen detyrime për kthimin e pagesave të paautorizuara nga aksionarët dhe përgjegjësi solidare për mbulimin e tyre nëse ato nuk rikuperohen.
Shoqëria që zotëron aksione të veta, vetë ose përmes një personi tjetër që vepron në emër të saj, është e detyruar tëpërfshijë në pasqyrat financiare një rezervë të veçantë në pasivin e bilancit, me një shumë të barabartë me vlerën kontabël të aksioneve të zotëruara, e cila nuk mund të shpërndahet ndërmjet aksionarëve; pasqyrojë në raportin vjetor të sajarsyet që çuan në blerjen e aksioneve gjatë vitit financiar; numrin dhe vlerën nominale ose, në mungesë të saj, vlerën kontabël të aksioneve të blera dhe të shitura gjatë vitit financiar, si dhe përqindjen që ato përfaqësojnë ndaj kapitalit të nënshkruar; kundërshpërblimin e paguar ose të marrë për aksionet e blera ose të shitura; numrin dhe vlerën nominale ose, në mungesë të saj, vlerën kontabël të të gjitha aksioneve të zotëruara nga shoqëria në fund të vitit financiar, si dhe përqindjen që ato përfaqësojnë ndaj kapitalit të nënshkruar.
Projektligji parashikon gjithashtu se shoqëritë nuk mund të japin kredi ose garanci për blerjen e aksioneve të tyre, përveçse në rastet kur kjo është pjesë e aktivitetit normal të bankave dhe institucioneve financiare, në kushte tregu dhe me raportim të detajuar për asamblenë e përgjithshme.
Një tjetër parashikim ka të bëjë me bashkimin e regjistruar, i cili mund të shpallet i pavlefshëm vetëm me vendim gjyqësor, brenda 6 muajve nga regjistrimi, nëse mungon kontrolli paraprak i ligjshmërisë ose aktet nuk janë hartuar sipas ligjit. Gjykata mund të japë afat për korrigjimin e shkeljeve. Pavlefshmëria nuk prek detyrimet e krijuara deri në publikimin e vendimit, ndërsa shoqëritë pjesëmarrëse mbeten përgjegjëse solidarisht për këto detyrime.
Gjithashtu, kur një shoqëri aksionare private shndërrohet në shoqëri me ofertë publike, do të zbatohen garanci shtesë për mbrojtjen e kreditorëve, investitorëve dhe punëmarrësve./ekofin.al
