Italia i dha miratimin përfundimtar të mërkurën ndërtimit të asaj që pritet të jetë ura pezull më e gjatë në botë, e cila do të lidhë Sicilinë me tokën kontinentale, pavarësisht shqetësimeve lidhur me tërmetet, ndikimet mjedisore dhe rrezikun e ndërhyrjes nga mafia. Një komitet ndërministror që mbikëqyr investimet publike strategjike e aprovoi projektin prej 13.5 miliardë eurosh, sipas një njoftimi nga Ministria e Transportit.
Ministri i Transportit, Matteo Salvini, deklaroi se projekti do të jetë “një përshpejtues për zhvillimin” e Italisë jugore. Punimet paraprake mund të nisin më vonë gjatë këtij vere, ndërsa ndërtimi parashikohet të fillojë vitin tjetër. Pavarësisht vonesave burokratike, Salvini tha se ura pritet të përfundojë deri në vitin 2033.
Ura e Ngushticës së Mesinës është miratuar dhe anuluar disa herë që nga viti 1969 kur qeveria italiane kërkoi për herë të parë propozime, dhe u ringjall së fundmi nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni në vitin 2023. “Nuk është një punë e lehtë, por është një investim për të tashmen dhe të ardhmen e Italisë, një sfidë e vështirë por e arsyeshme,” tha Meloni, duke e quajtur urën “një infrastrukturë strategjike për zhvillimin e Italisë së Jugut dhe të gjithë vendit”.
Ideja për ndërtimin e një lidhjeje midis Sicilisë dhe kontinentit daton që nga Roma e Lashtë. Vendimi për ndërtimin e urës përfaqëson një fitore politike për Salvini-n, i cili e ka bërë realizimin e saj një pikë kyçe të mandatit të tij, duke thënë se ajo do të jetë “një revolucion”, duke sjellë vende pune dhe rritje ekonomike.
Ura e Ngushticës së Mesinës do të jetë rreth 3.7 kilometra e gjatë, me segmentin pezull që do të arrijë 3.3 kilometra, duke ia kaluar urës Çanakkale në Turqi. Ajo do të ketë katër korsi për automjete dhe një hekurudhë me dy linja, me kapacitet për të përballuar 6,000 makina në orë dhe 200 trena në ditë.
Siguria në fokus
Projekti mund të ndihmojë gjithashtu për të përmbushur angazhimin e Italisë për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 5% të PBB-së, siç synon NATO, pasi qeveria ka treguar se do ta klasifikojë urën si të lidhur me mbrojtjen, duke ndihmuar kështu të arrijë komponentin 1.5% të sigurisë. Italia argumenton se ura do të krijojë një korridor strategjik për lëvizje të shpejta të trupave dhe dërgimin e pajisjeve drejt krahut jugor të NATO-s, duke e klasifikuar si “infrastrukturë që përmirëson sigurinë”.
Më shumë se 600 profesorë dhe studiues nënshkruan një letër këtë verë duke kundërshtuar klasifikimin ushtarak të projektit, duke theksuar se një lëvizje e tillë kërkon vlerësime shtesë për të parë nëse ura do të përballonte përdorim ushtarak. Kundërshtarët thonë gjithashtu se një klasifikim i tillë mund ta bëjë urën një objektiv të mundshëm. Grupet mjedisore kanë paraqitur ankesa të tjera në BE, duke ngritur shqetësime për ndikimin mbi shpendët migrues dhe duke theksuar se studimet mjedisore nuk kanë treguar se projekti është me rëndësi të domosdoshme publike, as që dëmet mjedisore do të zbuten.
Dekreti fillestar i qeverisë për rihapjen e projektit për urën përfshinte një dispozitë që i jepte Ministrisë së Brendshme kontroll mbi masat kundër mafies. Por Presidenti italian, Sergio Mattarella, këmbënguli që projekti të jetë subjekt i legjislacionit të zakonshëm antimafia që zbatohet për të gjitha projektet e mëdha infrastrukturore në vend, për shkak të shqetësimeve se një rregullim ad-hoc do të dobësonte kontrollet.
Projekti i është dhënë një konsorciumi të kryesuar nga WeBuild, një grup italian infrastrukture, i cili e fitoi për herë të parë kontratën për të ndërtuar urën në vitin 2006, por që më pas u anulua në vitin 2013. Ura Çanakkale, e hapur në vitin 2022 dhe ndërtuar nga WeBuild, u realizua duke përdorur modelin inxhinierik fillimisht të konceptuar për urën e Mesinës, me një profil krahu dhe formë platforme që ngjan me trupin e një avioni luftarak dhe me hapësira që lejojnë erën të kalojë përmes strukturës.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për ndërtimin e urës mbi të çarën sizmike të Mesinës – që shkaktoi një tërmet vdekjeprurës në vitin 1908 – WeBuild theksoi se urat pezull janë strukturalisht më pak të ndjeshme ndaj forcave sizmike. Ata përmendën se ura të tilla janë ndërtuar edhe në zona me aktivitet sizmik, si Japonia, Turqia dhe Kalifornia.
Drejtori ekzekutiv i WeBuild, Pietro Salini, u tha investitorëve këtë muaj se ura e Mesinës “do të jetë një pikë kthese për Italinë.”/ Përshtati nga Euronews, ekofin.al
