Projektkodi i ri Penal i Shqipërisë parashikon masa ndëshkuese më të rrepta ndaj personave që shmangin apo nuk përmbushin detyrimet ligjore familjare, sidomos ndaj fëmijëve, bashkëshortëve apo prindërve, në përputhje me vendimet e gjykatave. Me ndryshimet e propozuara, synohet të mbrohen më mirë të drejtat themelore të anëtarëve të familjes, veçanërisht të fëmijëve të mitur dhe personave me aftësi të kufizuara.
Mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara nga gjykata dënohet me burg
Sipas nenit 734, personat që kanë detyrim ligjor të paguajnë pension, kontribut apo përfitime të tjera familjare në bazë të vendimeve gjyqësore dhe nuk i përmbushin ato për më shumë se dy muaj, ndonëse kanë mundësi financiare, përballen me dënim me gjobë ose burgim nga 3 muaj deri në 2 vjet. Nëse shkelja kryhet ndaj fëmijëve nën moshën 14 vjeç ose ndaj personave me aftësi të kufizuara, dënimi rritet deri me një të dytën.
Projektkodi parashikon gjithashtu mundësinë që ndjekja penale të pushohet, nëse personi paguan detyrimet e prapambetura deri në vendimin përfundimtar penal, për sa kohë organi procedues gjykon se vepra nuk do të përsëritet.
Sanksione për shmangien aktive të detyrimeve të jetesës
Ligji dënon ashpër sjelljet që synojnë të shmangin përmbushjen e detyrimeve financiare për mbajtjen e familjarëve përfitues. Në këtë kategori përfshihen fshehja e të ardhurave, ndërrimi i vendbanimit, deklarimi i rremë i punësimit apo tjetërsimi i pasurisë. Personat që shmangin detyrimet për më shumë se dy muaj rrezikojnë deri në 3 vjet burg. Edhe në këtë rast, veprat e kryera ndaj fëmijëve të mitur apo personave me aftësi të kufizuara penalizohen më rëndë.
Një tjetër risi është sanksionimi penal i shkeljes së urdhrave të gjykatës në çështje të marrëdhënieve familjare, siç parashikohet në nenet përkatëse të projektkodit. Kryerja e veprimeve në kundërshtim me këto vendime, përfshirë edhe urdhrat e mbrojtjes nga gjykatat civile apo masat paraprake të vendosura nga policia, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose deri në 3 vjet burg, në varësi të rrethanave të shkeljes./ekofin.al
