Nga 1 janar 2026 nis zbatimin trajtimi financiar për oficerët ndërlidhës në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit. Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Sipas vendimit, të gjitha shpenzimet që lidhen me detyrën e oficerit ndërlidhës, nga qiraja, mirëmbajtja e apartamentit, shpenzimet për automjetin, komunikimi, sigurimet, transporti dhe akomodimi, e deri te shpenzimet për arsimin e fëmijëve do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Brendshme, brenda fondeve të miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Trajtimi financiar për oficerët ndërlidhës jashtë shtetit
Vendimi përcakton se familjarët e oficerit ndërlidhës përfshijnë bashkëshortin/en, fëmijët nën 18 vjeç dhe persona të tretë në kujdestari që e shoqërojnë në detyrë jashtë vendit.
Trajtimi financiar do të mbulojë nga buxheti shtetëror, shpenzime jetese dhe akomodimi, përfshirë qiranë dhe mirëmbajtjen e apartamentit, energjinë, ujin, gazin, pajisjet shtëpiake, si dhe transportin e familjes dhe sendeve personale në fillim dhe në përfundim të misionit, por jo më shumë se 30 m3 për familjen.
Shpenzimet do të mbulojnë gjithashtu mbështetje logjistike dhe teknike, si sigurimi dhe mirëmbajtja e automjetit, karburanti, telefonia dhe interneti, pajisjet e zyrës dhe kancelaritë.
Vendimi parashikon edhe sigurim jete për oficerin dhe familjen në vende me rrezikshmëri të lartë, si dhe shpenzime të tjera specifike, si komisionet bankare dhe uniforma.
Trajtimi financiar për familjarët e oficerit ndërlidhës jashtë vendit
Gjatë kohës që oficerët ndërlidhës shërbejnë në përfaqësitë diplomatike ose në organizatat ndërkombëtare jashtë Shqipërisë, bashkëshortët e tyre përfitojnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Kontributet për këto sigurime mbulohen nga shteti dhe llogariten në dy mënyra:
Nëse bashkëshorti/ja ka qenë në marrëdhënie pune para emërimit të oficerit jashtë vendit, kontributi do të jetë i barabartë me atë që paguhej në momentin e largimit nga puna;
Nëse bashkëshorti/ja nuk ka qenë i/e punësuar, kontributi do të llogaritet mbi bazën e pagës minimale të sigurueshme në Shqipëri.
Ndërsa, në lidhje me shkollimin e fëmijëve, vendimi parashikon se në rastet kur gjuha e shkollimit nuk është një nga gjuhët e mëdha ndërkombëtare (anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht), lejohet ndjekja e shkollës private me miratimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në këto raste, tarifa mbulohet deri në 2 500 euro në vit për çdo fëmijë; Do të mbulohet gjithashtu kostoja e librave dhe transportit shkollor.
Bashkëshorti/ja që shoqëron oficerin ndërlidhës gjatë detyrës në përfaqësitë diplomatike ose organizatat ndërkombëtare jashtë Shqipërisë përfiton trajtim financiar mujor në masën 50% të pagës së gradës “Atashe” përkatëse të vendit pritës.
Kjo pagesë fillon pas vërtetimit të shoqërimit në vendin pritës dhe i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat, sipas ligjit shqiptar. Megjithatë pagesa nuk jepet ose ndërpritet në rast se bashkëshorti/ja punësohet në stafin teknik të përfaqësisë ose në një punë tjetër në vendin pritës (me përjashtim të punës me kohë të pjesshme); nuk shoqëron oficerin në detyrë ose mungon më shumë se 3 muaj rresht në vendin e detyrës.
Ndërkohë, për çdo fëmijë nën 18 vjeç që jeton me oficerin ndërlidhës gjatë detyrës jashtë vendit, jepet trajtim financiar mujor në masën 20% të pagës së gradës “Atashe” në vendin pritës. Ai vijon edhe pas moshës 18 vjeç, vetëm nëse fëmija vazhdon studimet shkollore ose universitare, deri në përfundimin e tyre.
Në rast humbjeje të jetës së oficerit ndërlidhës apo të pjesëtarit të familjes që e shoqëron në detyrë, shpenzimet për transportin e trupit në atdhe, si dhe ato të ceremonisë mortore përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit. /ekofin.al
