Turizmi vlerësohet si një nga sektorët me më shumë potencial, jo vetëm për zhvillim të mëtejshëm, por edhe për të dhënë më shumë kontribut në rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e punësimit. Përballë shifrave në rritje të vizitorëve të huaj, një nga problematikat e vërejtura nga shoqatat e turizmit dhe tur-operatorët janë kapacitetet akomoduese dhe përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës. Në këtë kuadër, rritja e kreditimit për sektorin e turizmit është një domosdoshmëri dhe ky rezulton ndër objektivat kryesore të Fondit Besa për periudhën në vazhdim.
Individët dhe bizneset që operojnë në sektorin e turizmit, të cilët kërkojnë të nisin aktivitetin e tyre, ose ta zgjerojnë atë, mund të aplikojnë për “Kredinë për Turizëm”, pjesë e Komponentit të Mikrokredisë. Kjo po zbatohet në kuadër të Projektit “LIQENET E SHQIPËRISË – Promovimi i modeleve të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm për zhvillimin gjithëpërfshirës të komuniteteve”, i financuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) dhe që po zbatohet nga COSV – Coordinamento delle Organizzazioni per il Servizio Volontario dhe VIS – Volontariato Internazionale per lo Sviluppo.
Ky projekt synon të promovojë modele inovative të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, duke kontribuar në zhvillimin e komuniteteve në zonat përreth Liqenit të Shkodrës dhe Liqenit të Pogradecit/Ohrit.
Në bashkëpunim me COSV Albania dhe Vis Albania, Fondi Besa mbështet financiarisht komunitetin e këtyre zonave në zhvillimin e bizneseve të lidhura me turizmin. Kjo sjell jo vetëm një promovim më të mirë të vendit, por edhe kontribuon në krijimin e vendeve të reja të punës, në zhvillimin dhe konsolidimin e ekonomisë lokale dhe kombëtare, në nxitjen dhe përmirësimin e infrastrukturës, në ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit, në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare, pra një zinxhir vlerash, të cilat në fund konvertohen në përmirësimin e cilësinë së jetesës për banorët, mundësi të rritura për një arsimim më të mirë, shërbime shëndetësore, dhe kështu një zhvillim të përgjithshëm të komunitetit.
Statistikat, vit pas viti, tregojnë rritjen e turizmit dhe të industrive të lidhura me të, duke shtuar gjithnjë e më shumë kontributin direkt si të hyra në ekonomi. Flukset turistike drejt Shqipërisë vazhdojnë të tregojnë një tendencë rritjeje. Në 6-mujorin e parë të vitit 2025, vendi u vizitua nga 4.76 milionë turistë, rreth 5% më shumë se vitin e kaluar.
Projekti që po zbatohet nga Fondi Besa përqendrohet tek (i) identifikimi i bizneseve të vogla dhe të mesme që veprojnë në sektorin e turizmit në zonat e synuara (ii) adoptimi dhe përmirësimi i dy produkteve të kredisë që përshtaten me objektivin e projektit: Kredi për Turizëm, Kredi për Rininë.
Përmes ofrimit të një produkti specifik kredie për të rinjtë, synohet jo vetëm mbështetja për të përmirësuar pozicionin e të tyre financiar, por edhe pozitat e tyre sociale. Rinia luan një rol të rëndësishëm dhe është një forcë thelbësore për zhvillimin e sipërmarrjeve në Shqipëri dhe ndryshime në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Një nga sfidat kryesore të vendit është largimi i të rinjtë, si edhe numri i lartë i të rinjve të papunë. Prandaj, projekti ka si target-grup të rinjtë, për t’i forcuar ata financiarisht dhe për t’i stimuluar të përfshihen në nisma sipërmarrjeje të lidhura me sektorin e turizmit. Fondi Besa synon që ky projekt të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në grupet e synuara, si edhe të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, në zonat e përzgjedhura, në Shkodër dhe Pogradec.
