Qeveria Shqiptare po përgatit një Paketë Mbështetëse për t’ju ardhur në ndihmë fermerëve e blegtorëve, që gjatë kësaj periudhe të vështirë nga zjarret, kanë humbur bagëtitë apo u janë shkrumbuar tokat e mbjella me kultura të ndryshme.
Ministrja Anila Denaj ka theksuar në një konferencë nga Kryeministria, se zona e Delvinës është më e prekur në pjesën e bagëtive, por edhe në kosheret me bletë, sepse janë djegur rreth 230 të tilla.
Po në këtë zonë, ajo theksoi se për bagëtitë në kushtet kur janë djegur të mbjellat, janë shpërndarë tre ditët e fundit plot 20 tonë ushqim për kafshët, dhe po vazhdohet të shpërndahet me tepër. Megjithatë, ajo tha se nevojë kanë dhe zona të tjera të vendit.
“Janë gati 29 mijë hektarë që përfshijnë pyje e kullota, por edhe të mbjella. Ne po mendojmë një paketë mbështetëse për të rivitalizuar të mbjellat për dëmet e evidentuara”, u shpreh ministrja, por nuk sqaroi nëse blegtorët do të mbështeten vetëm për tokën, apo dhe për bagëtitë e humbura.
“Zona e Delvinës ka qenë zona më e prekur në pjesën e bagëtive, janë dhe 230 koshere me bletë, 8 stane, sepse është një zonë malore e bazuar te blegtoria. Aktualisht është mundësuar furnizimi me bazë ushqimore, është bërë në kohë rekord dhe në Delvinë janë shpërndarë 20 ton ushqim për bagëti.
Janë gati 29 mijë hektarë që përfshijnë pyje e kullota, por edhe të mbjella. Ne po mendojmë një paketë mbështetëse për të rivitalizuar të mbjellat për dëmet e evidentuara.
Kërkoj nga strukturat që të vazhdojnë me evidentimin e dëmeve, si për bagëtitë ashtu dhe për të mbjellat, në çdo zonë të Shqipërisë, në mënyrë që paketa mbështetëse për rivitalizimin e tokave të prekura, për të realizuar të mbjella të reja të vihet në dispozicion në mënyrë të menjëhershme”, u shpreh Anila Denaj, ministre e Bujqësisë.
