Dita e sotme shënon afatin e fundit ligjor për dorëzimin e pasqyrave financiare nga bizneset në sistemin online në e-Albania. Procesi është shoqëruar me vështirësi, pasi në disa raste sistemi ka qënë shumë i ngadaltë, ose edhe nuk ka funksionuar, duke i marrë më shumë kohë bizneseve për realizimin e procesit të upload të dokumenteve.
Ekofin komunikoi me Aleancën e Profesionistëve të Lirë, që ka qënë këto ditë në kontakt të vazhdueshëm me bizneset dhe i ka kërkuar autoriteteve të marrin masa për të lehtësuar funksionalitetin e sistemit. APL theksoi se aktualisht nuk janë raportuar problematika serioze, kjo edhe pasi pjesa më e madhe e bizneseve i kanë depozituar pasqyrat.
e-Albania prej disa vitesh ofron një procedurë standarde që finalizohet në pak minuta, nëse sistemi funksionon si duhet, nga administratorët apo personat e autorizuar. Por bizneset (administratorët apo personat e autorizuar prej tyre) ftohen të kenë kujdes me procedurat e depozitimit, pasi pasqyrat financiare dhe dokumentacionet e tjera përmbledhëse vjetore duhet të ngarkohen në formularin elektronik të aplikimit, vetëm pasi të kenë nënshkrimin elektronik.
Në total, vlerësohen mbi 20 mijë subjekte në të gjithë vendin që kanë detyrimin të depozitojnë bilancet për vitin paraardhës pranë QKB-së, nëpërmjet seksionit të dedikuar në e-Albania. /ekofin.al
