Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se në muajin qershor 2025, sistemi bankar në Shqipëri ka disbursuar 38.9 miliardë lekë kredi të re për ekonominë, duke shënuar një rritje prej 24.7% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për muajin qershor, duke përfaqësuar një rekord historik në aktivitetin kredidhënës të bankave.
Sipas Bankës Qendrore, rritje të fortë ka shënuar kredia për bizneset, ku huaja për korporatat jofinanciare private arriti në 25.9 miliardë lekë, nga 22.3 miliardë lekë në qershorin e vitit të kaluar. Kjo përfaqëson një rritje vjetore prej 16.4% ose rreth 2.5 miliardë lekë më shumë. Ndërsa kredia për individët u rrit me 45.6%, duke kaluar nga 8.87 miliardë lekë në 12.9 miliardë lekë.
Blerja e një banese është nga arsyet më madhore të kredimarrjes. Në qershor bankat dhanë 7.39 miliardë lekë kredi për blerje banese, me një rritje prej 60% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Ky trend pasqyron interesin në rritje të shqiptarëve për investim në pasuri të paluajtshme dhe përmirësim të kushteve të banimit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia totale për ekonominë, në fund të qershorit, arriti në 892.7 miliardë lekë, rreth 12 miliardë lekë më shumë se një muaj më parë. Në terma vjetorë, kjo përfaqëson një rritje prej 12.1%, niveli më i lartë i regjistruar në dhjetë vitet e fundit.
Krahasimisht, për periudhën qershor 2024 me atë qershor 2025 bankat e rritën kreditimin me rreth 17%, ndërsa për biznesin kreditimi u rrit me 10,3%.
