Qershori ka sjellë rritje të mëtejshme të numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri. Referuar shifrave të INSTAT, në vend për muajin qershor kanë hyrë rreth 1.33 milionë turistë, 7,1% më shumë se në vitin 2024. Gjithsej për 6-mujorin vendi u vizitua nga 4.76 milionë vizitorë të huaj, ose 4.8% më shumë se vitin e kaluar.
Shumica e të huajve që vizituan Shqipërinë vinin nga Evropa, kryesisht nga Evropa Jugore. Vizitat ishin kryesisht për arsye personale, si pushime apo vizita familjare, ndërsa është rritur edhe numri i hyrjeve për qëllime biznesi dhe profesionale.
Sipas të dhënave nga INSTAT, gjatë muajit Qershor 2025, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 2.062.775 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 7,6 %, krahasuar me Qershor 2024. 1.918.569 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 7,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet e shtetasve
Në Qershor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 733.571, duke pësuar një rritje me 8,5 %, krahasuar me Qershor 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.329.204. Ky numër është rritur me 7,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Daljet e shtetasve
Në muajin Qershor 2025, 710,963 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 10,7 %, krahasuar me Qershor 2024. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2025, janë 1.207.606. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 5,3 %
Sipas të dhënave, në Qershor 2025, 94 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 70 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore dhe Evropa Qëndrore / Lindore me nga 11 %.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për Pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Qershor 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 6,8% krahasuar me Qershor 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime Biznesi dhe profesionale janë rritur me 27,9%.
