Kryeministri i Kinës, Li Qiang, njoftoi nisjen e ndërtimit të digës më të madhe hidroenergjetike në botë, në skajin lindor të Pllajës Tibetiane, me një kosto të vlerësuar prej të paktën 170 miliardë dollarësh, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua.
Nisja e projektit hidroenergjetik, më ambiciozi në Kinë që nga diga e Tri Grykave në lumin Yangtze, u përshëndet nga tregjet kineze si një shenjë e qartë e stimujve ekonomikë, duke çuar në rritjen e çmimeve të aksioneve dhe të kthimeve të obligacioneve ditën e hënë.
Diga do të përbëhet nga pesë hidrocentrale në kaskadë me një kapacitet për të prodhuar 300 miliardë kilovat-orë energji elektrike në vit — sasia që konsumoi Britania e Madhe gjatë gjithë vitit të kaluar. Ajo do të ndërtohet në pjesën e poshtme të lumit Yarlung Zangbo, një segment i të cilit bie 2,000 metra në një gjatësi prej 50 km, duke ofruar potencial të madh hidroenergjetik.
India dhe Bangladeshi kanë ngritur tashmë shqetësime për ndikimin që mund të ketë diga mbi miliona banorë në pjesën e poshtme të lumit, ndërsa organizatat mjedisore kanë paralajmëruar për rrezikun ndaj një prej ekosistemeve më të pasura dhe më të larmishme në pllajë.
Pekini ka deklaruar se diga do të ndihmojë në përmbushjen e kërkesës për energji në Tibet dhe në pjesën tjetër të Kinës, pa ndikuar ndjeshëm në rrjedhën e ujërave ose në mjedis. Fillimi i operacioneve pritet të ndodhë diku gjatë viteve 2030.
Indeksi i Ndërtimit dhe Inxhinierisë i Kinës (.CSI399995) u rrit deri në 4% në një nivel të lartë 7-mujor. Kompania Power Construction Corporation of China dhe Arcplus Group PLC arritën kufirin maksimal ditor të rritjes prej 10%.
Nga pikëpamja e investimit, projektet e zhvilluara të hidroenergjetikës ofrojnë “dividendë të ngjashëm me obligacionet”, tha Wang Zhuo, partner i kompanisë Shanghai Zhuozhu Investment Management, ndërsa paralajmëroi se blerjet spekulative të aksioneve të lidhura mund të fryjnë vlerësimet.
Sipas Huatai Securities, projekti do të gjenerojë kërkesë të lartë për materiale ndërtimi si çimento dhe eksplozivë civilë.
Aksionet e kompanisë Hunan Wuxin Tunnel Intelligent Equipment Co, e listuar në Pekin, u rritën me 30%, ashtu si edhe ato të Geokang Technologies Co Ltd, që prodhon pajisje inteligjente monitorimi. Prodhuesi i çimentos Xizang Tianlu dhe kompania Tibet GaoZheng Explosive Co, që prodhon eksplozivë civilë, gjithashtu arritën kufirin maksimal të rritjes prej 10%.
Ndikimi më i gjerë
Kryeministri kinez e quajti digën një “projekt të shekullit” dhe tha se duhet vendosur theks i veçantë te ruajtja ekologjike për të shmangur dëmet në mjedis, raportoi Xinhua ditën e shtunë.
Të hënën, kthimet nga obligacionet shtetërore u rritën në të gjitha afatet, ndërsa kontratat për thesarin 30-vjeçar ranë në nivelin më të ulët 5-javor, pasi investitorët e interpretuan lajmin si pjesë e një plani të ri stimujsh ekonomikë nga Kina.
Projekti, i cili do të menaxhohet nga grupi i ri shtetëror China Yajiang Group, shënon një rritje të madhe të investimeve publike për të nxitur rritjen ekonomike, ndërkohë që motorët aktualë të saj po tregojnë shenja dobësimi.
“Supozojmë se ndërtimi zgjat 10 vjet — atëherë ndikimi i investimit në PBB mund të arrijë në 120 miliardë juanë (16.7 miliardë dollarë) në një vit të vetëm,” tha Citi në një analizë. “Përfitimet reale ekonomike mund të jenë edhe më të mëdha.”
Kina nuk ka dhënë ende një vlerësim mbi numrin e vendeve të punës që mund të krijojë ky projekt. Diga e Tri Grykave, e cila mori pothuajse dy dekada për t’u përfunduar, gjeneroi afro një milion vende pune, sipas mediave shtetërore, edhe pse zhvendosi të paktën një numër të ngjashëm njerëzish.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur sa persona do të zhvendosen për shkak të projektit në Yarlung Zangbo.
Yarlung Zangbo bëhet lumi Brahmaputra pasi del nga Tibeti dhe rrjedh në jug drejt Indisë dhe më pas në Bangladesh. Organizatat mjedisore thonë se diga do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme Pllajën Tibetiane dhe do të godasë miliona banorë në zonat poshtë lumit.
Kryeministri i shtetit indian Arunachal Pradesh, Pema Khandu, tha më herët këtë vit se një digë kaq e madhe, vetëm 50 kilometra nga kufiri, mund të thajë 80% të lumit që kalon nëpër shtetin indian dhe të shkaktojë përmbytje në zonat e poshtme të Arunachal dhe shtetit fqinj Assam.
Disa ekspertë gjithashtu kanë ngritur shqetësime për rreziqet që sjell ndërtimi i një projekti kaq të madh në një zonë me aktivitet të lartë sizmik./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
