Presidenti i Çekisë ka nënshkruar një ligj që ndalon promovimin e ideologjisë komuniste, duke e barazuar atë me propagandën naziste – një veprim që ka nxitur reagime të forta nga partia e majtë përpara zgjedhjeve të tetorit.
Të enjten, Presidenti çek Petr Pavel nënshkroi një ndryshim në Kodin Penal të vendit, i cili kriminalizon promovimin e ideologjisë komuniste, duke e vendosur atë në të njëjtin nivel me propagandën naziste. Legjislacioni i rishikuar parashikon dënime me burg deri në pesë vjet për këdo që “krijon, mbështet ose promovon lëvizje naziste, komuniste apo të tjera që synojnë në mënyrë të provueshme të shtypin të drejtat dhe liritë e njeriut ose nxisin urrejtje racore, etnike, kombëtare, fetare apo të bazuar në klasë”.
Ky ndryshim pason thirrjet nga institucione historike çeke, përfshirë Institutin për Studimin e Regjimeve Totalitare, për të korrigjuar atë që e konsideronin një pabarazi ligjore.
Partia Komuniste e Bohemisë dhe Moravisë (KSČM), e udhëhequr nga eurodeputetja Kateřina Konečná dhe aktualisht pjesë e një aleance të re zgjedhore të quajtur “Stačilo” (“Mjaft”), e dënoi këtë vendim si të motivuar politikisht. “Ky është edhe një përpjekje e dështuar për ta nxjerrë KSČM-në jashtë ligjit dhe për të frikësuar kritikët e regjimit aktual,” tha partia.
Mbetet e paqartë se si do të zbatohet ligji i ri ndaj partive si KSČM. Partia aktualisht nuk ka asnjë vend në parlament, por sondazhet e fundit e tregojnë aleancën e saj me rreth 5% mbështetje – mjaftueshëm për t’u rikthyer në dhomën e ulët në zgjedhjet e tetorit./Përshtati nga Euractiv, ekofin.al
