Gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme me krerët e bashkive, Kryeministri Rama iu kërkoi edhe shkarkimin e nënkryetarëve.
“Është e domosdoshme dhe nënkryetarët është mirë të ndryshojnë. Sepse i shoh shumë të lodhur, shumë shumë të lodhur, i shoh të rraskapitur. I shoh të rraskapitur. Juve s’ndryshoni dot. Edhe dy vjet, edhe dy vjet keni, si të doni”, iu drejtua Rama kryebashkiakëve.
“Nuk besoj se dëgjova bashkinë e Lezhës në këtë drejtim, apo një sërë bashkish të tjera, që jo se i kanë me shkëlqim ato yjet që kanë aty, po se e di që keni vështirësi të gjeni yje të tjera. Megjithatë, në nderin tënd është që t’i shkarkosh gjithë, po kjo është një çështje që ti e sheh vetë”, iu drejtua Rama, kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreut.
“Ajo që unë them është që tek nënkryetarët bëni mirë të bëni një rifreskim të madh. Se dhe nga mënyra si qeshët, ishte shumë e qartë që edhe ju vetë e ndjeni që mezi po i mbani në krahë ata. Edhe tani që u kujtuat po mendoni se në cilën orë të gjumit janë, ndërkohë që ju keni ardhur në Durrës këtu. S’besoj se ndonjëri nga ata është tani në terren”, tha Rama.
