Viti 2024 ishte një vit shumë i vështirë për sektorin energjetik në vend, konfirmuar kjo edhe nga shifrat e raportuara nga vetë ndërmarrjet shtetërore të sektorit, të pasqyruara në raportin e Ministrisë së Financave për Buxhetin Faktik 2024.
Sektori ka shënuar një rënie të ndjeshme të fitimeve dhe performancës financiare si pasojë e kushteve jo të favorshme meteorologjike në vend gjatë tremujorit të fundit të vitit dhe rënies së prurjeve në kaskadën e Drinit, që ka ulur nivelin e prodhimit të energjisë vendase nga KESH sh.a. përgjatë 2024.
Sipas të dhënave, niveli i basenit të Fierzës deri në muajin Dhjetor 2024 ishte në kuotën 267.3 metra, jo vetëm niveli më i ulët për 10 vitet e fundit për të njëjtën periudhë, gjithashtu më i ulët krahasuar dhe me kuotën mesatare të 30 viteve të fundit prej 277.5 metra.
Fitimet e sektorit energjetik gjatë vitit të kaluar ishin 8.7 miliardë lekë, ose rreth 15 miliardë lekë më pak sesa në vitin 2023. Gjithashtu, edhe niveli i përgjithshëm i prodhimit neto vendas, ka pësuar rënie me rreth 10.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht, gjatë 12M 2024 prodhimi neto vendas shënon vlerën 7.84 TËh, kundrejt 8.80 TËh realizuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
KESH sh.a. realizoi një nivel prodhimi neto publik prej rreth 4.37 TËh, kundrejt 5.13 TËh realizuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke rezultuar me një rënie rreth 14.8%.
Sa i përket humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike, për vitin 2024 ato rezultuan në nivelin 17.9%, duke shënuar një rënie kundrejt një viti më parë, ku humbjet ishin në nivelin 18.9%.
Ndërkohë niveli i arkëtimeve të OSHEE Group sh.a. për vitin 2024 arritën në 77.4 miliardë lekë, nga 80.4 miliardë që ishin në vitin 2023, ndikuar kryesisht nga liberalizimi i tregut të energjisë.
Ndërkohë, shoqëritë energjetike vijojnë të kenë borxhe të ndërsjellta mes tyre apo ndaj të tretëve. Edhe pse një pjesë e tyre është shlyer sipas planit gjatë 2024, përsëri këto borxhe mbeten të konsiderueshme, të vlerësuara në total në 171.2 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar. KESH, për shkak të vështirësive financiare, ka akumuluar më tej borxhet e tij ndaj të tretëve gjatë vitit 2024. /ekofin.al

