Ndërkohë që investimet e huaja direkte kanë njohur rritje në vitet e fundit, duke arritur në 2024 shifrën prej 1.58 miliardë euro dhe në anën tjetër edhe bizneset vendase kanë nevojë për më shumë mbështetje për të dalë dhe konkurruar në tregjet evropiane, Qeveria ka vendosur të rrudhë buxhetin jo vetëm sa i përket tërheqjes së investimeve, por edhe mbështetjes së bizneseve vendase.
Në ndryshimet e ndërmarra në strategjinë “Për zhvillimin e biznesit dhe investimeve 2021-2027”, të nxjerra në konsultim publik, bie në sy ulja e kostove indikative, në të trija shtyllat, duke llogaritur periudhën e mbetur, 2025-2027. Në total ka një reduktim me 2,38 miliardë lekë të fondeve të programuara në strategji për tre shtyllat kryesore, që janë tërheqja e investimeve dhe ndërkombëtarizimi, zhvillimi i NMV-ve, sipërmarrja dhe inovacioni, si edhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.
Pjesa më e madhe e këtyre fondeve, ashtu siç është specifikuar edhe në strategji administrohen nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), ku me ndryshimet e programuara ajo pritet të ketë më pak buxhete dhe mundësi në dispozicion si për të promovuar vendin si destinacion investimesh, ashtu edhe për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme në vend.
Kështu në shtyllën “1.1 Tërheqja e investimeve dhe ndërkombëtarizimi” ishte parashikuar me koston indikative gjithsej 152.7 mln lekë (nga këto buxheti i shtetit 66.88 mln lekë, financim i huaj 1.6 mln lekë dhe hendek financiar 84.22 mln lekë). Në këtë shtyllë veprimi prioritar “Programi i zhvillimit të ofruesve” është zëvendësuar me veprimi prioritar “Vlerësimi i modelit të diplomacisë ekonomike”. Si rezultat i këtij ndryshimi, kosto gjithsej për këtë shtyllë është ulur gjithsej me 27.2 mln lekë, e specifikuar me kosto indikative gjithsej 125.50 mln lekë (nga këto buxheti i shtetit 94.50 mln lekë, financim i huaj 1.6 mln lekë dhe hendek financiar 29.40 mln lekë).
Reduktimi më i ndjeshëm i kostove është ndërmarrë në Shtyllën 1.2 “Zhvillimi i NVM-ve, sipërmarrja dhe inovacioni” ku ishte parashikuar me koston indikative gjithsej rreth 9,27 miliardë lekë (nga këto buxheti i shtetit 6, 669. 38 mln lekë, financim i huaj 2,147.16 mln lekë dhe hendek financiar 425.20 mln lekë). Në këtë shtyllë, veprimi prioritar “Skema për mbështetjen e sipërmarrjes me bazë konkurrencën” ndryshohet me veprimin prioritar “Lidhja mes NMVM-ve dhe startup-eve” dhe veprimi prioritar “Fuqizimi i ekosistemit të start-upeve” ndryshohet me veprimi prioritar “Akses në Programet e Bashkimit Evropian në fushën e biznesit”. Si rezultat i këtyre dy ndryshimeve, kosto gjithsej për këtë shtyllë është ulur me 2,3 miliardë lekë, e specifikuar me kosto indikative gjithsej 6,95 miliardë lekë (nga këto buxheti i shtetit 6,483.86 mln lekë, financim i huaj 50.03 mln lekë dhe hendek financiar 425.20 mln lekë).
Sa i përket shtyllës 1.3 “Zhvillimi i kapitalit njerëzor” ishte parashikuar me koston indikative gjithsej 181,14 mln lekë (nga këto buxheti i shtetit 37.70 mln lekë, financim i huaj 2 dhe hendek financiar 142.44 mln lekë). Në këtë shtyllë, veprimi prioritar “Program për zhvillimin e forcës së punës për dhe me NVM-të dhe investitorët” ndryshohet me veprimi “Sensibilizimi dhe përfshirja e bizneseve në reformat e sistemit të VET-së”. Si rezultat i këtij ndryshimi, kosto gjithsej për këtë shtyllë është ulur me 43.16 mln lekë e specifikuar me kosto indikative gjithsej 137.98 mln lekë (nga këto buxheti i shtetit 17.74 mln lekë dhe hendek financiar 120.24 mln lekë). /ekofin.al
