Kompania ajrore me kosto të ulët Ryanair ka njoftuar se do të rrisë me 20 për qind përmasat e bagazhit dore falas.
Ky vendim vjen pasi ligjvënësit evropianë votuan për të miratuar një propozim që do të rregullojë përmasat e bagazhit që pasagjerët mund të marrin me vete në avion pa pagesë shtesë.
Sipas rregullave të reja, udhëtarët në fluturimet brenda BE-së do të kenë të drejtën të marrin një çantë personale, si p.sh. një çantë dore apo shpinore, dhe një bagazh të vogël dore me vete në bord pa kosto shtesë.
Përmasat maksimale të çantës personale do të jenë 40 x 30 x 15 centimetra, ndërsa bagazhi dore do të ketë përmasë maksimale 100 cm (gjatësia totale) dhe peshë deri në 7 kg.
Ky ligj i propozuar ende duhet të miratohet nga 55 për qind e shteteve anëtare të BE-së, dhe gjatë negociatave që pritet të nisin këtë muaj, mund të ketë ndryshime. Nëse miratohet, rregullorja do të zbatohet për të gjitha fluturimet brenda Bashkimit Evropian.
Ryanair rrit përmasat e bagazhit dore falas
Ryanair ka deklaruar se do të nisë zbatimin e përmasave të reja të bagazhit dore “gjatë javëve në vijim”.
Aktualisht, përmasat për një çantë personale falas janë 40 x 25 x 20 cm, me një vëllim prej 20 litrash.
Kompania po harmonizohet me propozimin e ri duke rritur gjerësinë e çantës nga 25 në 30 cm. Kjo do të thotë se përmasat e reja do të jenë 40 x 30 x 20 cm, me një vëllim prej 24 litrash.
Kjo është më e madhe se përmasat e propozuara nga Parlamenti Evropian, në mënyrë që pasagjerët që tashmë zotërojnë një çantë të përshtatshme për Ryanair të vazhdojnë ta përdorin atë.
“Kjo ndryshim do të hyjë në fuqi në javët në vijim, ndërkohë që do të përshtatim pajisjet matëse të bagazheve në aeroporte”, tha një zëdhënës i Ryanair.
Linjat ajrore do të zbatojnë përmasat e reja të bagazhit dore deri në fund të verës
Shoqata e industrisë Airlines for Europe (A4E) ka konfirmuar gjithashtu se linjat ajrore anëtare kanë filluar të zbatojnë setin e ri të përmasave për çantën personale.
“Të gjitha linjat ajrore të A4E do të vendosin përmasat e garantuara dhe do t’i kenë ato në zbatim deri në fund të sezonit veror 2025”, thuhet në deklaratën e shoqatës.
Linjat ajrore do të vazhdojnë të lejojnë çanta personale më të mëdha sipas gjykimit të tyre, siç ndodh edhe aktualisht me shumë prej tyre.
Mbështetësit e kësaj mase thonë se ajo do të sigurojë çmime më të drejta dhe më transparente për udhëtarët.
Drejtoresha menaxhuese e A4E, Ourania Georgoutsakou, u shpreh se vendimi për t’i përafruar anëtarët me propozimin “do të sjellë më shumë qartësi për pasagjerët në gjithë Evropën”.
“Qoftë për udhëtimet e shkurtra në qytete apo për familjet që udhëtojnë, të gjithë do të përfitojnë nga një rregull i qartë dhe i njëjtë në të gjitha rrjetet tona”, tha ajo.
Për shumicën e linjave ajrore, kjo do të thotë të vazhdojnë me përmasat aktuale të bagazhit dore. British Airways, Jet2 dhe easyJet tashmë lejojnë përmasa që tejkalojnë ato të garantuarat nga propozimi i ri./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
