Microsoft njoftoi të mërkurën se do të pushojë nga puna rreth 9,000 punonjës. Lëvizja do të prekë më pak se 4% të fuqisë punëtore globale të kompanisë në ekipe, rajone dhe nivele përvoje të ndryshme, tha për CNBC një burim i njohur me çështjen.
Njoftimi vjen në ditën e dytë të vitit fiskal 2026 të Microsoft. Drejtuesit e kompanisë me bazë në Redmond, Washington, zakonisht njoftojnë riorganizime në fillim të vitit të ri fiskal.
“Ne po vazhdojmë të zbatojmë ndryshime organizative të nevojshme për të pozicionuar më mirë kompaninë dhe ekipet për sukses në një treg dinamik,” tha një zëdhënës i Microsoft në një email.
Microsoft ka kryer disa raunde pushimesh edhe më herët gjatë këtij viti kalendarik. Në janar, kompania shkurtroi më pak se 1% të stafit, bazuar në performancën. Në maj, kompania hoqi mbi 6,000 vende pune dhe të paktën 300 të tjera në qershor. Deri në qershor 2024, Microsoft kishte rreth 228,000 punonjës. Në vitin 2023, pushoi 10,000 punonjës. Pushimi më i madh i punonjësve në historinë e saj ndodhi në vitin 2014, kur kompania eliminoi 18,000 vende pune pas blerjes së divizionit të pajisjeve dhe shërbimeve të Nokia-s.
Ashtu si në raundin e pushimeve të majit, Microsoft po përpiqet të reduktojë numrin e shtresave të menaxhimit që ndodhen mes punonjësve dhe drejtuesve të lartë, tha burimi që preferoi të mbetej anonim.
“Për të pozicionuar sektorin e Lojërave për sukses afatgjatë dhe për të na lejuar të fokusohemi në fushat strategjike të rritjes, do të ndërpresim ose reduktojmë punën në disa zona të biznesit dhe do të ndjekim modelin e Microsoft për të hequr disa nivele menaxhimi për të rritur shkathtësinë dhe efikasitetin,” shkroi Phil Spencer, CEO i sektorit të Lojërave në Microsoft, në një memo dërguar punonjësve të kësaj divizione të mërkurën.
Microsoft raportoi një fitim neto prej gati 26 miliardë dollarësh dhe të ardhura prej 70 miliardë dollarësh për tremujorin që përfundoi në mars. Shifrat ishin ndjeshëm mbi pritshmëritë e Wall Street, duke e mbajtur Microsoft ndër kompanitë më fitimprurëse të indeksit S&P 500, sipas të dhënave të përpiluara nga FactSet.
Drejtuesit parashikojnë rritje të të ardhurave me rreth 14% në tremujorin e qershorit, falë zgjerimit të pritshëm në shërbimet cloud Azure dhe abonimeve të softuerëve të produktivitetit për korporatat. Aksioni i Microsoft u mbyll në një rekord të ri prej 497.45 dollarë për aksion më 26 qershor. Të mërkurën, aksioni ra me 0.2%, ndërsa S&P 500 u rrit me 0.5%.
Ndërkohë, kompani të tjera të softuerëve si Autodesk, Chegg dhe CrowdStrike kanë bërë gjithashtu shkurtime në vitin 2025. Më herët të mërkurën, kompania e përpunimit të pagave ADP njoftoi se sektori privat në SHBA humbi 33,000 vende pune në qershor. Ekonomistët e anketuar nga Dow Jones kishin parashikuar një rritje prej 100,000 vende pune./Përshtati nga CNBC News, ekofin.al
