Wang Ning, themelues i prodhuesit të lodrave Pop Mart International Group, është futur për herë të parë në dhjetëshen e miliarderëve më të pasur të Kinës, ndërsa kukullat Labubu të kompanisë po shiten me shpejtësi në Azi, Evropë dhe SHBA.
Wang, i cili është kryetar dhe CEO i kompanisë me bazë në Pekin, renditet si personi i 10-të më i pasur në Kinë, sipas Listës së Miliarderëve në Kohë Reale të Forbes. Me një pasuri neto prej 22.7 miliardë dollarësh, të bazuar në aksionet e tij në Pop Mart, 38-vjeçari është anëtari më i ri në moshë i kësaj elite miliarderësh në Kinë, krahas themeluesit të ByteDance Zhang Yiming, kryetarit të Nongfu Spring Zhong Shanshan dhe bashkëthemeluesit të Tencent Ma Huateng.
Çmimi i aksioneve të Pop Mart të listuara në Hong Kong është trefishuar këtë vit, duke kapur mbi 270 dollarë HK (34.40 dollarë amerikanë). Të dizajnuara nga artisti i lindur në Hong Kong, Kasing Lung, kukullat Labubu janë bërë objekt koleksioni nga yje të njohur si këngëtarja amerikane Rihanna, këngëtarja dhe aktorja anglo-shqiptare Dua Lipa, si dhe Lisa nga grupi koreano-jugor Blackpink.
Labubu, që i ngjan një lepuri me veshë të mprehtë, dhëmbë të theksuar dhe një buzëqeshje të djallëzuar, po shkakton trazira në dyqane. Pas lançimit të edicionit të tretë të kukullës në prill, në një dyqan në Londër shpërthyen përleshje mes fansave që donin të paguanin nga 13.50 £ (18.30 dollarë) deri në 50 £ për kukull. Në tregun e saj vendas në Kinë, një kukull Labubu në përmasa njerëzore u shit në ankand të martën për plot 1.08 milionë juanë (150,000 dollarë) në Pekin.
Banka Ping An e Kinës tentoi të tërhiqte klientë të rinj, duke ofruar lodra Labubu për këdo që hapte një llogari të re dhe depozitonte më shumë se 50,000 juanë. Kjo praktikë u ndalua së fundmi nga rregullatorët financiarë, të cilët e cilësuan si një nxitje të papërshtatshme për tërheqjen e depozitave.
Në mes të kësaj kërkese të papërmbajtur për Labubu, bankat investuese si Deutsche Bank dhe Morgan Stanley po rrisin ndjeshëm objektivat e tyre të çmimit për aksionet e Pop Mart. Deutsche Bank, për shembull, e rriti objektivin e vet me 52%, në 303 dollarë HK, për shkak të ritmit të fortë të rritjes jashtë vendit të kompanisë.
“Është e rrallë që një pronësi intelektuale e tipit komik/lodër të kapërcejë barrierat kulturore dhe të përqafohet si nga kulturat aziatike ashtu edhe nga yjet kryesorë të muzikës dhe sportit në Perëndim”, shkroi analistja Jessie Xu e Deutsche Bank.
Kompania më parë kishte parashikuar që shitjet vjetore mund të rriteshin mbi 50% në vitin 2025, duke kaluar 20 miliardë juanë. Vitin e kaluar, të ardhurat e saj u rritën me 107%, duke arritur në 13 miliardë juanë, ndërsa fitimi i atribuar pronarëve të kompanisë u rrit me mbi 180%, duke arritur në 3.1 miliardë juanë. /Përshtati nga Forbes, ekofin.al
