Greva nga kontrollorët e trafikut ajror pritet të shkaktojë vonesa dhe anulime në shumë aeroporte franceze dhe më gjerë.
Kontrollorët francezë të trafikut ajror po kërcënojnë me grevë ndërsa miliona qytetarë në Europë nisin sezonin e pushimeve verore. Sindikata UNSA-ICNA – e dyta më e madhe për kontrollorët e trafikut ajror në Francë – ka dorëzuar një njoftim për grevë për datat 3 dhe 4 korrik. Ajo ka përmendur “menaxhim toksik” dhe “autoritar” si një nga arsyet e grevës.
Sindikata kërkon rritje të stafit dhe rritje pagash. Një takim i zhvilluar këtë të mërkurë me Autoritetin Francez të Aviacionit Civil (DGAC) nuk arriti të shmangte grevën. Edhe sindikata e tretë më e madhe e kontrollorëve, USAC-CGT, ka shpallur grevë për 3 korrik. Ndërkohë, sindikata më e madhe, SNCTA, ka bërë të ditur se nuk do të thërrasë për grevë.
Çfarë ndikimi do të kenë grevat në fluturimet e pushimeve verore?
Një grevë nga kontrollorët e trafikut ajror pritet të shkaktojë vonesa dhe anulime në shumë aeroporte franceze. Ajo vjen në prag të nisjes së pushimeve verore për shkollat në Francë, të cilat fillojnë më 4 korrik (ose 5 korrik për nxënësit me orë mësimi të shtunën), një nga periudhat më të ngarkuara të vitit, sipas DGAC.
Me dy sindikata që paralajmërojnë grevë të enjten, ndikimi pritet të jetë më i madh sesa të premten. Greva mund të ndikojë gjithashtu edhe fluturimet që kalojnë përmes hapësirës ajrore franceze (të ashtuquajturat “overflights”), çka mund të detyrojë avionët të devijojnë rrugën rreth Francës, duke shkaktuar vonesa.
Fluturimet drejt dhe nga Belgjika, Portugalia, Spanja dhe Maroku kanë qenë më të prekura nga grevat e mëparshme të kontrollorëve francezë.
DGAC ka thënë se do të njoftojë në ditët para grevës se sa fluturime do të duhet të anulohen. Më pas, i takon linjave ajrore të vendosin se cilat shërbime do të ndërpriten.
Kontrollorët e trafikut ajror kanë qenë në përplasje të vazhdueshme me DGAC për vite me radhë, por kjo është greva e tyre e parë që nga viti 2024. Vitin e kaluar u arrit një “truce olimpike”, që pezulloi çdo grevë gjatë Lojërave Olimpike.
Në vitin 2023, grevat e kontrollorëve shkaktuan ndërprerje të mëdha në Francë, me dhjetëra mijëra anulime, vonesa dhe kaos të gjerë në udhëtime. Sipas të dhënave të Eurocontrol, mbi 10 milionë pasagjerë u prekën nga grevat në Francë midis marsit dhe prillit të atij viti.
Një ligj i ri është miratuar për të reduktuar ndërprerjet, i cili kërkon që kontrollorët që planifikojnë të grevojnë, ta njoftojnë punëdhënësin të paktën 48 orë përpara. Qëllimi është t’u jepet punëdhënësve kohë për të përgatitur orare të përkohshme bazuar në numrin e stafit që do të jetë i pranishëm.
Një rregull i ngjashëm ekziston edhe për punonjësit e hekurudhave kombëtare SNCF dhe operatorit të transportit publik të Parisit, RATP./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
