Me gjatësi rreth 2 cm dhe peshë vetëm 0.3 gramë, pajisja e frymëzuar nga insektet ka dy krahë të vegjël dhe tre këmbë të holla. Ekspertët thonë se për shkak të madhësisë së saj mikroskopike, është e vështirë të zbulohet nga radarët tradicionalë.
Një institucion kërkimor i mbrojtjes në Kinë ka zbuluar një dron spiun që ngjan shumë me një mushkonjë. Mikrodroni bionik u prezantua më 20 qershor në televizionin shtetëror ushtarak kinez, CCTV-7.
“Ja ku kam në dorë një robot të ngjashëm me një mushkonjë,” tha Liang Hexiang, student në Universitetin Kombëtar të Teknologjisë së Mbrojtjes (NUDT), për transmetuesin. “Robotët bionikë miniaturë si ky janë veçanërisht të përshtatshëm për zbulim informacionesh dhe misione të veçanta në fushëbetejë,” shtoi ai.
Pajisja, rreth 2 cm e gjatë dhe vetëm 0.3 gramë në peshë, ka dy krahë të vegjël që rrahin deri në 500 herë në sekondë, sipas gazetës koreane Chosun Ilbo. Trupi i hollë përmban sensorë për mbikëqyrje të fshehtë dhe operacione të tjera ushtarake. Sipas South China Morning Post, ekipi ka prezantuar gjithashtu një prototip tjetër me katër krahë që mund të kontrollohet përmes një smartphone-i.
Edhe pse raporti nuk jep detaje të sakta mbi llojin e të dhënave që mbledh pajisja, ekspertët thonë se madhësia e saj shumë e vogël e bën pothuajse të pamundur zbulimin me radarë të zakonshëm.
Mikrodronët në trend
Dronë mikroskopikë si ky po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm në luftërat moderne. Disa vende janë në fazë eksperimentimi ose kanë filluar tashmë përdorimin e këtyre teknologjive në terren.
Për shembull, Norvegjia ka zhvilluar një mikro-dron të stilit helikopter, të quajtur Black Hornet, me përmasa sa një pëllëmbë, i cili tashmë përdoret nga disa forca të armatosura, përfshirë ushtrinë amerikane. Ky dron i vogël përdor kamera dhe imazhe termike për zbulim të shpejtë dhe të fshehtë.
Në vitin 2006, laboratori sekret i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, DARPA, nisi projektin Hybrid Insect Micro-Electro-Mechanical Systems (HI-MEMS), për të krijuar “ciborë insektesh” duke vendosur mikro-sisteme mekanike brenda insekteve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
