Zbatimi i projektit për “Portin e Ri të Integruar të Durrësit në Porto Romano” ka sjellë ndryshime në listën e pasurive për shpronësim.
2 vjet nga kërkesa e parë nr. 374/9, datë 27.7.2023, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin publikon në Fletoren Zyrtare listën e re të shpronësimeve, duke hequr 121 pasuri, për arsye se ato janë jashtë konturit të projektzbatimit për fazën e parë.
Konkretisht, listës së publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 111, datë 27.7.2023, i hiqen pasuritë e llojit “arë”, “rrugë”, “kanal” në zonën kadastrale 3184.
Si pasojë, vlera totale paraprake e shpronësimeve është rishikuar, duke kaluar nga 821 milionë lekë në 815 milionë lekë – një ulje që reflekton përjashtimin e këtyre pasurive nga faza fillestare.
Sipas Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, të gjithë personat e përfshirë në listë, si edhe ata që pretendojnë se preken nga projekti por nuk figurojnë aty, kanë të drejtë që brenda 15 ditëve nga data e publikimit në Fletoren Zyrtare të dorëzojnë ankesat e tyre, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.
Gjithashtu, ata mund të shprehin mendimin e tyre mbi saktësinë e të dhënave të publikuara lidhur me procedurat e shpronësimit, pranë Autoritetit Portual të Durrësit sh.a., si dhe në Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin.
Projekti i ‘”Porto Romanos” konsiderohet një investim me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit, i diktuar nga shndërrimi i Portit të Durrësit në “Durrës Marina” nga kompania e Alabar.
Konsorciumi holandez Van Oord Dredging and Marine Constractor dhe ai grek me seli në Holandë, Archirodon Construction Company Limited janë kualifikuar për fazën tjetër të procedurës për ndërtimin e Portit të ri të Porto Romanos në muajin prill të këtij viti.
Këto dy konsorciume do të paraqesin edhe ofertat ekonomike, ku edhe më pas do të përzgjidhet kompania fituese. /ekofin.al
Lista e pasurive që hiqen nga shpronësimi:



