Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) u kujton drejtuesit e mjeteve të jenë shumë të kujdesshëm, të mos shkelin rregullat e qarkullimit dhe të mos bëhen shkak për të humbur pikët e patentës. Duke publikuar shifrat e ritestimeve, DPSHTRR informon se nga qershori 2022 kur nisi zbatimi i pikëve dhe ritestimit, vetëm 13.5% e atyre që kanë humbur lejen e drejtimit e kanë rifituar atë.
Sipas të dhënave zyrtare, në testimin e fundit u riregjistruan 42 kandidatë për testim, nga të cilët vetëm 23 u paraqitën në seancë, ndërsa vetëm 5 kandidatë e kaluan me sukses ritestimin.
Këto shifra pasqyrojnë një përqindje shumë të ulët suksesi, duke konfirmuar sfidën që paraqet ky test për të rikthyer patentën e humbur si rezultat i shkeljeve të rënda të Kodit Rrugor.
Në total, që nga fillimi i fushatës, 2,204 qytetarë janë riregjistruar në autoshkollë për të rikuperuar lejen e drejtimit, por vetëm 297 prej tyre (13.5%) kanë arritur ta rifitojnë atë, duke u rikthyer në rrugë me një përgjegjshmëri të re.
Gjithashtu, DPSHTRR për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe atyre që përballen me ritestimin, inkurajon përdorimin e platformës online për simulime testesh dhe përgatitje në adresën: lejedrejtimi.dpshtrr.al.
