Linjat ajrore nuk do të lejohen të tarifojnë pasagjerët për çfarëdo tarife shtesë për mbajtjen e bagazhit dore në bord.
Ligjvënësit e Bashkimit Evropian kanë votuar për të miratuar një propozim që do t’i lejojë pasagjerët të marrin me vete në kabinë një send personal dhe një bagazh dore deri në shtatë kilogramë pa pagesë.
Masa vjen si shtesë ndaj reformave më të gjera të propozuara nga Komisioni Evropian në vitin 2023 mbi të drejtat e pasagjerëve. Ajo do të kërkojë që linjat ajrore të zbulojnë kostot totale të fluturimit më herët gjatë procesit të rezervimit dhe do të ndikojë në të drejtat e kompensimit. Ja si do të ndikojë vendimi pasagjerët dhe kur mund të hyjë në fuqi ndryshimi.
Pasagjerët e ajrit duhet të kenë të drejtën për bagazh dore falas
Sipas rregullave të reja, udhëtarët që marrin një fluturim brenda BE-së do të kenë të drejtë të mbajnë me vete një çantë personale, si çantë dore apo çantë shpine, dhe një bagazh të vogël dore pa pagesë shtesë.
Çantat personale mund të kenë dimensione maksimale 40x30x15 centimetra dhe sendet e bagazhit dore do të lejohen me dimensione maksimale prej 100 cm dhe peshë prej 7 kg.
Linjat ajrore nuk do të lejohen të tarifojnë pasagjerët për çfarëdo tarife shtesë për mbajtjen e këtyre sendeve.
Kjo pason një vendim të më shumë se një dekade më parë nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë që dekretonte se mbajtja e bagazhit dore nuk mund të jetë subjekt i një tarife shtesë, për sa kohë që plotëson kërkesat e arsyeshme përsa i përket peshës dhe përmasave dhe përputhet me kërkesat e zbatueshme të sigurisë.
Së fundmi, një grup organizatash të konsumatorëve i kërkoi autoriteteve kombëtare të mbrojtjes së konsumatorëve dhe Komisionit Evropian të kryejnë një hetim mbi atë që ata pretendojnë se janë tarifa të padrejta për bagazhin e dorës të vendosura nga linjat ajrore me kosto të ulët.
Këto kompani vendosin tarifa shtesë për bagazhe që i cilësojnë si “me përmasa të mëdha” por që sipas grupeve të konsumatorëve duhet të përfshihen në përmasat dhe peshën e konsideruar si “të arsyeshme” nga BE.
A do t’i bëjnë rregullat e reja biletat më të shtrenjta?
Ndërsa votimi duket si një fitore për pasagjerët, një zëdhënës i shoqatës së industrisë Airlines for Europe (A4E) paralajmëroi se mund të nënkuptojë çmime më të larta të biletave në përgjithësi, veçanërisht për ata që duan të udhëtojnë vetëm me bagazh dore.
Më shumë mbështetje për pasagjerët në nevojë
Votimi për rregulloren e bagazheve të dorës është shtuar në propozimin e Komisionit Evropian të vitit 2023 për forcimin e të drejtave të pasagjerëve. Si pjesë e propozimit, deputetët e BE-së duan të sigurojnë që fëmijët nën 12 vjeç të ulen pranë shoqëruesve të tyre pa pagesë shtesë.
Ata gjithashtu duan më shumë mbrojtje për pasagjerët me aftësi të kufizuara duke siguruar që një person shoqërues të udhëtojë me ta falas, dhe të shtojnë një të drejtë kompensimi në rast humbjeje ose dëmtimi të pajisjeve të lëvizshmërisë ose dëmtimi të një kafshe ndihmëse.
Ligjvënësit apelojnë për qartësi mbi kompensimin
Rregullat e projektligjit të vitit 2023 gjithashtu sqarojnë rolin e ndërmjetësve (shitësit e biletave apo të shërbimeve) në rimbursimin e pasagjerëve për anulime, vonesa të gjata ose ndalim të hipjes në avion.
Deputetët e BE-së duan që këto kompani të informojnë pasagjerët në momentin e rezervimit për koston e plotë të biletës së fluturimit, tarifat ndërmjetësuese apo të shërbimit dhe procesin e rimbursimit, i cili nuk duhet të zgjasë më shumë se 14 ditë.
Nëse një ndërmjetës dështon të respektojë këtë afat, atëherë linja ajrore duhet të përpunojë rimbursimin brenda 7 ditëve. Ligjvënësit gjithashtu mbështetën propozimin për të prezantuar një formular unik për të gjithë BE-në për kërkesat e kompensimit dhe rimbursimit.
Ata duan të shtojnë një dispozitë që detyron linjat ajrore të dërgojnë formularin e plotësuar paraprakisht te pasagjerët, ose të aktivizojnë kanale të tjera alternative komunikimi automatike, brenda 48 orëve pas një ndërprerjeje.
Për të marrë miratimin përfundimtar, propozimet e ndryshme do të shkojnë në votim nga Parlamenti i plotë. Kjo mund të sjellë ndryshime në vendimet pasi do të duhet të negociohen dhe miratohen nga shtetet anëtare përpara se të hyjnë në fuqi./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
