Ministria e Pushtetit Vendor ka miratuar Udhëzimin, që përcakton rregullat e hollësishme për dokumentacionin dhe procedurën e shpalljes së zonave prioritare të zhvillimit në territorin e bashkive, në kuadër të zbatimit të Ligjit të ri për Paketën e Maleve (Ligji nr. 20/2025).
Sipas udhëzimit të sapobotuar në Fletore Zyrtare, çdo bashki në vend ka detyrimin që, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e aktit, të ngrejë grupin e punës për identifikimin dhe propozimin e zonave të zhvillimit malor në territorin e saj.
Ky hap është pjesë e një strategjie të re për nxitjen e ekonomisë malore, zhvillimin e turizmit natyror, agro-turizmit dhe sektorëve të tjerë me potencial në zonat e larta të vendit.
Cilat janë hapat që duhet të ndjekin bashkitë?
Grupi i punës, që drejtohet nga një zëvendëskryetar bashkie dhe përfshin përfaqësues nga disa drejtorë bashkiake dhe administratorët vendorë, do të ketë si detyrë: Hartëzimin e zonës së propozuar për zhvillim; Konsultimin me komunitetin lokal; Verifikimin e statusit të pronave në bashkëpunim me Kadastrën; Bashkërendimin me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit; Vlerësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe potencialit zhvillimor të zonës.
Përmes një analize të detajuar, do të vlerësohet potenciali turistik, industrial apo ekonomik i zonës, duke identifikuar gjithashtu edhe problematikat ligjore me pronësinë dhe poseduesit jopronarë.
Shpallja e zonës së zhvillimit, vetë bashkia, pastaj qeveria
Pasi të përfundojë analiza dhe dokumentacioni i nevojshëm, bashkia i paraqet vendimin Këshillit Bashkiak, i cili duhet ta miratojë. Më pas, kryetari i bashkisë i dorëzon kërkesën Ministrit të Pushtetit Vendor, i cili, nëse konstatohet përmbushja e kritereve, i propozon Këshillit të Ministrave shpalljen zyrtare të zonës së zhvillimit.
Në rast se territori është objekt mosmarrëveshjeje ndërmjet bashkive, ose përfshihet në një zonë të mbrojtur, shpallja nuk mund të bëhet.
Një instrument për zhvillim të qëndrueshëm në zonat malore
Përmes këtij udhëzimi, qeveria synon të ofrojë një bazë të qëndrueshme ligjore dhe teknike për të mbështetur zonat e thella dhe malore në zhvillim ekonomik, tërheqje investimesh dhe promovim të turizmit të qëndrueshëm.
Në zbatim të këtij vendimi janë përfshirë edhe institucione të tjera si Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia për Shoqërinë e Informacionit dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. /ekofin.al
