Qindra gazetarë të “Zërit të Amerikës” (VOA) – shumica dërrmuese e stafit të mbetur – janë pushuar nga administrata e Presidentit Donald Trump, duke e çuar në mbyllje efektive këtë agjenci lajmesh të financuar nga shteti amerikan.
Administrata deklaroi se këto shkarkime u kryen sepse agjencia ishte “e mbushur me shtrembërime, njëanshmëri dhe shpërdorime”. Kryekorrespondenti kombëtar i VOA-s, Steve Herman, e quajti shpërbërjen e agjencisë – e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore për të kundërshtuar propagandën naziste – si një “akt historik të vetëshkatërrimit”.
Ndër të shkarkuarit ishin edhe gazetarë të shërbimit persian, të cilët kishin qenë në leje administrative, por u thirrën përsëri në punë javën e kaluar pasi Izraeli sulmoi Iranin. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, gazetarët persianë kishin dalë të pinin cigare të premten dhe nuk u lejuan më të hynin në ndërtesë pasi u dërguan njoftimet e shkarkimit.
“Në ditën e sotme morëm një vendim të prerë për të vënë në zbatim agjendën e Presidentit Trump për të zvogëluar burokracinë federale të pakontrolluar”, deklaroi Kari Lake – e emëruar nga presidenti për të drejtuar VOA-n – të premten, kur u shpallën pushimet nga puna të 639 punonjësve.
Në total, më shumë se 85% e punonjësve të agjencisë – rreth 1,400 punonjës – kanë humbur vendin e punës që nga muaji mars. Ajo theksoi se vetëm 50 punonjës do të qëndrojnë në punë në VOA, në Zyrën për Transmetimet në Kubë, dhe në kompaninë mëmë të VOA-s, Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM).
Në një deklaratë të lëshuar nga tre gazetarë të VOA-s, të cilët janë në proces gjyqësor për të ndaluar mbylljen e rrjetit, për pushimet e fundit nga puna thuhet: “Kjo shënon vdekjen e gazetarisë së pavarur 83-vjeçare, që mbronte idealet amerikane të demokracisë dhe lirisë në mbarë botën”.
Ky veprim ishte parashikuar që në muajin mars, kur Trump urdhëroi që VOA dhe USAGM, e cila mbikëqyr VOA-n dhe financon agjenci si Radio Evropa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë, të “eliminohen sa më shumë që lejon ligji në fuqi”.
Këto agjenci janë vlerësuar gjerësisht dhe kanë fituar njohje ndërkombëtare për raportimet e tyre në vende ku liria e shtypit është e kufizuar ose inekzistente, nga Kina dhe Kamboxhia deri në Rusi dhe Kore e Veriut.
Por Dan Robinson, një ish-korrespondent i lajmeve në VOA, shkroi në një artikull opinion vitin e kaluar se agjencia ishte kthyer në një “strukturë arrogante dhe e pakontrolluar që shpesh pasqyron njëanshmëri të majtë në linjë me median partizane kombëtare”.
Kritikat e Trump ndaj VOA-s janë pjesë e sulmeve të tij më të gjera ndaj medias amerikane, të cilën – sipas studimeve – konsumatorët amerikanë e shohin si shumë të polarizuar.
Presidenti ka bërë thirrje gjithashtu që Partia Republikane të heqë fondet federale për NPR (Radion Kombëtare Publike) dhe PBS (Shërbimin Publik të Transmetimit)./Përshtati nga BBC, ekofin.al
